Ardit Hysa, njeriu i Olta Xhaçkës nga Ministria e Mbrojtjes te KAYO, dyshimet për punët e errëta në Vjenë dhe hija e SPAK

Nga
F Ajazi
Leximi

Ish-këshilltari i Olta Xhaçkës u ngjit në strukturat drejtuese të industrisë shtetërore të armëve, ndërsa SPAK ka nisur të zbërthejë kontratat e KAYO-s. Në sfond shfaqet edhe dosja e korrupsionit dhe pastrimit të parave e çiftit Xhaçka–Gaçi, me transaksione të dyshuara në Austri dhe rolin ende të pazbardhur të ish-këshilltarit.

Ardit Hysa është një nga emrat që lidh kabinetin e dikurshëm të Olta Xhaçkës me strukturat e sotme të industrisë shtetërore të armëve. Ish-këshilltari i ministres së Mbrojtjes, i cili më pas u shfaq në drejtimin juridik të KAYO-s dhe në administrimin e kompanive të saj, është rikthyer në vëmendje pas veprimeve hetimore të SPAK. Një karrierë e ndërtuar në korridoret e pushtetit, aty ku vendosen fatet e kontratave publike dhe ku përgjegjësia shpesh humbet pas firmave, bordeve dhe emërimeve politike.

Në kohën kur Olta Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, Hysa ishte pjesë e kabinetit të saj. Sot, ish-ministrja dhe bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, janë përfshirë në një hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja ka nxjerrë në sipërfaqe dyshime për tregtinë e armëve, transaksione bankare në Austri dhe një ish-këshilltar të Xhaçkës, roli i të cilit po tërheq vëmendjen e hetuesve.

Në këtë histori del edhe emri i Ardit Hysës. Dyshohet se ai mund të ketë shërbyer si ndërmjetës për interesa të lidhura me çiftin Xhaçka–Gaçi, përfshirë veprime financiare në Vjenë. Dyshimi lidhet me rolin e tij të dikurshëm pranë ministres dhe me pistën austriake të hetimit, megjithëse identiteti i ish-këshilltarit të përmendur në dosje nuk është bërë publik.

Transaksionet e dyshuara në Austri kapin qindra mijëra euro dhe i përkasin periudhës kur Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Hetimi është lidhur edhe me komunikime të administruara nga telefoni i Artan Gaçit. Nëse këto para kanë kaluar përmes marrëveshjeve të lidhura me funksionet ministrore, atëherë përgjegjësia shkon përtej një transaksioni bankar dhe prek mënyrën si është ushtruar pushteti në një nga institucionet më të ndjeshme të shtetit.

Rruga e Ardit Hysës nuk përfundoi me largimin e Xhaçkës nga Ministria e Mbrojtjes. Ai u shfaq më vonë si drejtues juridik i KAYO-s, ndërmarrjes shtetërore që administron aktivitetin e industrisë së armëve dhe municioneve. Në gusht 2025, Hysa u bë pjesë e Këshillit të Administrimit të GUNA Tactical, shoqërisë së krijuar për prodhimin dhe tregtimin e uniformave dhe pajisjeve ushtarake.

Në themelim, KAYO zotëronte 51 për qind të aksioneve, ndërsa partneri privat 49 për qind. Në maj 2026, shteti shiti dy për qind të aksioneve dhe humbi shumicën në favor të privatit. Pak ditë më vonë, Hysa u largua nga administrimi i GUNA Tactical. Në qershor u emërua në Këshillin Mbikëqyrës të KAYO-s.

drejtues juridik i KAYO-s, anëtar i administrimit të GUNA Tactical dhe më pas drejtues në Ministrinë e Mbrojtjes, Hysa ka lëvizur brenda një sistemi ku politika dhe administrimi i kontratave shtetërore takohen vazhdimisht. Pikërisht ky përqendrim funksionesh e bën rolin e tij veçanërisht të rëndësishëm në historinë e aferave të dyshuara të mbrojtjes.

Edi Rama ka reklamuar ringritjen e industrisë ushtarake si një sukses të qeverisë së tij. Pas fasadës së fabrikave, uniformave dhe investimeve, sot qëndron një hetim për kontrata të dyshuara, favorizime dhe shpërdorim detyre. Qeveria nuk mund të mburret me industrinë shtetërore ndërsa përgjegjësitë për administrimin e saj mbeten të fshehura në korridoret e ministrive.

Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi përballen ndërkohë me dyshime të rënda për korrupsion dhe pastrim parash. Për Ardit Hysën, lidhja e dokumentuar me kabinetin e ish-ministres dhe me strukturat e KAYO-s e vendos emrin e tij në dy kapituj të rëndësishëm të historisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Pista e Vjenës shton një tjetër dimension, me dyshimin se ish-këshilltari mund të ketë pasur rol në administrimin e interesave financiare të lidhura me çiftin.

Në Shqipërinë që sot proteston kundër korrupsionit, modeli i zyrtarit që kalon nga një kabinet politik në tjetrin, nga një kompani shtetërore te një bord administrimi, nuk mund të trajtohet si çështje e zakonshme karriere. Aq më tepër kur rreth këtyre institucioneve janë ngritur dyshime për miliona euro kontrata dhe për përdorimin e pushtetit në favor të interesave private.

SPAK ka hyrë tashmë në këtë territor. Në qendër qëndrojnë kontratat, paratë, vendimet dhe njerëzit që kanë pasur në dorë mekanizmat juridikë të funksionimit të tyre. As posti politik, as vula e një bordi dhe as afërsia me pushtetin nuk mund të shërbejnë si strehë për korrupsionin. /Pamfleti

 

Shperndaja një miku
Lini një koment