Dorëhiqet Vuçiç, Serbia drejt zgjedhjeve të reja

Nga
A Shehu
Leximi
Pikat Kryesore

Aleksandër Vuçiç nuk do të jetë më president i Serbisë. Mbrëmjen e së dielës ai ka dhënë dorëheqjen duke I dhënë fund mandatit që duhet të përfundonte me vitin 2027.

Në fjalimin e tij, Vuçiç falënderoi qytetarët serbë për mbështetjen gjatë dy mandateve në presidencë dhe deklaroi se tashmë vendi hyn në një periudhë të re politike.“Jam mirënjohës ndaj qytetarëve që më kanë treguar besimin dy herë. Sot është dita kur paraqes dorëheqjen time”, tha Vuçiç.

Presidenti në largim shfrytëzoi adresimin për të bërë edhe një bilanc të viteve të tij në pushtet. Ai përmendi zhvillimet në ekonomi, rritjen e punësimit, nivelin e borxhit publik dhe investimet në infrastrukturë, duke theksuar gjithashtu sfidat që do të përballet Serbia në vitet e ardhshme.

Sipas Vuçiçit, një nga prioritetet kryesore të udhëheqjes së ardhshme duhet të jetë forcimi i ekonomisë dhe investimi në fusha si arsimi, teknologjia, inteligjenca artificiale dhe robotika.

Në fjalimin e tij nuk mungoi as çështja e Kosovës. Vuçiç deklaroi se drejtuesi i ardhshëm i shtetit duhet të vazhdojë mbrojtjen e interesave që Serbia i konsideron kombëtare, si dhe të serbëve që jetojnë në Kosovë.“Të gjithë do të duhet t’i rezistojnë heqjes dorë nga Kosova. Do të duhet të merremi me zhvillimin ekonomik, mbi të gjitha me inteligjencën artificiale dhe robotikën, në mënyrë që të mos mbetemi prapa”, u shpreh ai.

Dorëheqja e Vuçiçit vjen në një moment të rëndësishëm për skenën politike serbe, pak përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Edhe pse nuk do të jetë më në krye të shtetit, Vuçiç ka deklaruar se do të vijojë aktivitetin politik dhe do të angazhohet në fushatën zgjedhore.

Vuçiç mori drejtimin e presidencës serbe në vitin 2017 dhe u rizgjodh në vitin 2022. Mandati i tij i dytë pritej të përfundonte në vitin 2027, por dorëheqja e shpallur tani e ndërpret atë para afatit.

Shperndaja një miku