Mario Berberi, biznesmeni nga Devolli me precedentë të mëparshëm për kontrabandë, ndodhet në qendër të një denoncimi të ri penal që ka mbërritur në tavolinat e Prokurorisë, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Dosja ekspozon një mekanizëm të dyshuar evazioni fiskal në pikën kufitare të Kapshticës, ku përmes faturave të manipuluara dhe një rrjeti kompanish satelite, dyshohet se janë shmangur detyrimet doganore me mbështetjen e vetë zyrtarëve të shtetit.
Sipas të dhënave të referuara në organet ligjzbatuese, skema nuk funksiononte me ryshfete sporadike për çdo kamion që kalonte kufirin. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se bëhet fjalë për një sistem të mirëfilltë listëpagesash mujore, ku agjentë doganorë, përgjegjës turnesh dhe drejtues lokalë dyshohet se paguheshin rregullisht për të garantuar paprekshmërinë e ngarkesave që hynin nga Greqia.
Skema me faturat e “Astor Hellas” dhe prestanomet që mbulojnë gjurmët
Thelbi i dyshimeve për evazion fiskal lidhet me importet nga kompania greke me bazë në Selanik, Astor Hellas. Mallrat që dilnin me dokumentacion të rregullt eksporti nga pala greke, dyshohet se paraqiteshin në sportelet e Kapshticës me fatura të tjetërsuara, vlera financiare artificialisht të ulura dhe sasi që nuk përputheshin me ngarkesën fizike.
Për të humbur gjurmët e qarkullimit të parasë dhe për të shmangur kontrollin tatimor mbi subjektin e tij kryesor, “Berberi Company” (NIPT L74214701Q), biznesmeni dyshohet se ka ngritur një strukturë me “prestanome” (pronarë fiktivë). Përmes kryqëzimit të të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), dalin në pah fijet që lidhin këtë rrjet tregtar:
- Best Price sh.p.k. – E regjistruar në shtator 2024 në emër të shtetasit Robert Kadriu. Sipas denoncimit, pas kësaj kompanie dhe investimit të një magazine gjigante prej mbi 2 milionë eurosh në aksin Kamëz-Vorë, qëndron vetë Berberi.
- Lele sh.p.k. & Kleo sh.p.k. – Të themeluara në prill 2024 dhe janar 2025 në pronësi të Kleo Kaprellit. Të dyja subjektet ndajnë të njëjtën adresë fizike në Bilisht dhe të njëjtin kontakt telefonik, duke shërbyer si hallka për shpërndarjen e faturave të importit.
- Subjektet e tjera në lupë – Kërkesa për hetim përfshin gjithashtu verifikimin e transaksioneve me subjektet “Nurce” dhe “Shpëtim Ahmetaj”.
- Dritan Çekani dhe zinxhiri doganor – Ish-drejtori i Doganës Kapshticë, i proceduar penalisht në shkurt 2025 bashkë me përgjegjësin e turnit Vangjush Nole dhe doganierët Klodian Palloi e Renato Molla (ky i fundit i arrestuar bashkë me Berberin edhe në korrik 2018 për kontrabandë pijesh energjike), dyshohet si nyja kryesore që garantonte kalimin e ngarkesave kundrejt ndarjes së fitimeve.
Si i shumëfishoi të ardhurat Mario Berberi dhe kontratat me Bashkinë Devoll
Ndërsa emri i tij lakuar në raportet policore të kufirit për kontrabandë mallrash, bilancet zyrtare të Mario Berberi shënuan një rritje eksponenciale. Nga një xhiro modeste prej 8.7 milionë lekësh në vitin e arrestimit të tij të parë (2018), kompania e tij deklaroi mbi 90 milionë lekë qarkullim në vitin 2023 dhe rreth 85.7 milionë lekë në vitin 2024.
Kjo rritje financiare u shoqërua edhe me akses të drejtpërdrejtë në fondet publike. Gjatë periudhës 2023–2025, “Berberi Company” ka arkëtuar 14.28 milionë lekë (pa TVSH) përmes katër tenderave të fituar në Bashkinë Devoll. Përtej prokurimeve, që prej nëntorit 2024 e në vijim gjatë vitit 2026, ky institucion e paguan kompaninë e Berberit me 95 mijë lekë në muaj për qiranë e një trualli prej 3,150 m².
Me dosjen e re të depozituar tashmë në organet e akuzës dhe Antikorrupsionin, topi kalon në fushën e prokurorëve dhe hetimit tatimor. Kërkesa për letërporosi me autoritetet greke për të krahasuar faturat origjinale të “Astor Hellas” me ato të deklaruara në Kapshticë pritet të jetë prova e zjarrit që do të tregojë nëse drejtësia do të godasë kupolën e doganave, apo dosja do të mbyllet sërish me procedime formale për doganierët e radhës.