Pedagogët në protestë, Dekani i Durrësit, Linert Lirëza me kullë 20 kate në Golem; pas investimit dyshohet deputeti Arkend Balla

Nga
F Ajazi
Leximi

Pedagogët protestojnë dhe mbështesin studentët, ndërsa kolegu i tyre, Linert Lirëza, u bë dekan me lobimin e deputetit Arkend Balla dhe të grupeve kriminale. Tani po sfidon SPAK-un me një kullë 20-katëshe në bregdet

Pedagogët kanë lënë sot auditorët dhe kanë dalë në rrugët e Tiranës për të mbështetur studentët kundër dhunës policore dhe qeverisë së Edi Ramës. Ndërsa profesorët marshojnë për dinjitetin e universitetit dhe të drejtat e të rinjve, Linert Lirëza, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, rezulton zotërues i një kompanie që ka marrë miratimin për një kullë 20-katëshe në bregdet.

Marshimi i 20 tetorit nxori pedagogët përpara Kryeministrisë. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë denoncoi ndërhyrjet e policisë ndaj studentëve, ndërsa një ditë më parë 963 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike kishin firmosur një deklaratë që kërkonte dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Përballë kësaj revolte akademike qëndron kontrasti me një drejtues universiteti publik, i cili është futur në një projekt ndërtimi që kërkon miliona euro.

Më 30 korrik 2026, KKT e Edi Ramës shqyrtoi në pikën 69 projektin e shoqërisë “LAG Invest” sh.p.k. për ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimesh deri në 20 kate mbi tokë dhe dy kate parkimi nëntokë, në Qerret të Golemit. Pamfleti raportoi më 8 tetor se projekti kishte marrë miratimin.

Sipas të dhënave të publikuara, kompania LAG Invest është themeluar në gusht 2025 me vetëm 100 euro kapital fillestar. Në mars 2026, Linert Lirëza u bë zotëruesi i plotë i saj. Brenda një viti nga themelimi, shoqëria u përfshi në një projekt ndërtimi shumëkatësh në bregdetin e Durrësit.

Kapitali fillestar nuk përfaqëson domosdoshmërisht fondet e disponueshme për ndërtimin. Megjithatë, dokumentacioni financiar i bërë publik deri tani nuk identifikon burimin e miliona eurove që kërkon një investim i këtyre përmasave.

Pas shkrimit në “Pamfleti” më 8 tetor, në redaksi erdhën disa informacione me denoncimin e njëjtë se, lejen për kullën e ka marrë formalisht Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Linert Lirëza, ndërsa financiesi dhe pronar faktik i kullës është deputeti socialist i Durrësit, Arkend Balla.

Edhe deputeti Arkend Balla, si shumë kolegë, ministra e politikanë, për të fshehur lejen e ndërtimit, pronësinë e tokës dhe kullës, ka përdorur emrin e Linert Lirëzës, të cilin e kishte kolegë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe e ka përdorur per punës të pista, ndërsa nëpërmjet grupeve kriminale me ndikim e bëri Dekan të Fakultetit Politik e Juridik.

Në të njëjtin fakultet ushtron funksion drejtues edhe Endri Balla, vëllai i deputetit socialist. Ai mban detyrën e përgjegjësit të Departamentit të Administrimit Publik, ndërsa Linert Lirëza drejton fakultetin.

Në zgjedhjet universitare të vitit 2024, Lirëza ishte kandidat për dekan, ndërsa Endri Balla kandidonte për drejtimin e Departamentit të Administrimit Publik. Të dy mbajnë sot funksione drejtuese në të njëjtën strukturë akademike. Sipas denoncimeve, dyshohet se këto marrëdhënie janë shfrytëzuar për të krijuar një rrjet ndikimi që lidh universitetin me interesat politike dhe ekonomike të deputetit.

Burime nga Kadastra dhe Prokuroria e Durrësit pretendojnë se pronësia e truallit dhe marrëveshjet ekonomike të projektit mund të zbulojnë interesin e deputetit Arkend Balla. Dyshohet se pas strukturës formale të investimit janë përdorur marrëdhënie private për të ndarë emrin e pronarit të regjistruar nga përfituesi ekonomik.

Ndërsa, nëse dekani Linert Lirëza e mohon këtë përdorje që i ka bërë miku dhe ish-shefi i tij deputet; duhet të deklarojë, ose më saktë, duhet të hetohet nga SPAK; se me çfarë të ardhurash do ta financojë ndërtimin e kullës me 20 kate mbi tokë e 2 kate parkim nëntokë.

Kontrasti është i turpshëm. Teksa pedagogët dalin në rrugë për të mbrojtur dinjitetin e arsimit, ndërsa studentët përballen me një realitet që ua ka bërë gjithnjë e më të vështirë të ardhmen. Në të njëjtin sistem universitar, drejtues të institucioneve publike angazhohen në projekte ndërtimi miliona eurosh me burim financimi të dyshimtë. /Pamfleti

Shperndaja një miku
Lini një koment