Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, ka finalizuar ditët e fundit një super tender me vlerë plot 9.3 milionë euro, ku këto para’ janë dhënë për të njëjta firma dhe pronarë që kanë marrë në të kaluarën edhe 15 milionë euro. Bëhet fjalë për tenderin e faturave të tatimeve, ku nga 4 firma në garë, pati vetëm një ofertë, që rrjedhimisht u shpall edhe fituese.
Dyshimet janë se tenderi në fjalë ka qenë një “qokë politike” për disa funksionarë kroatë që kanë qenë në Shqipëri, të cilët kanë krijuar një rrjet për të marrë çdo qindarkë të akorduar nga shteti shqiptar. Aq më tepër nga AKSHI, i cili është vjedhur deri në palcë nga ish-drejtuesit, por edhe këta të rinjtë, janë totalisht në ato “gjurmë”.
Nëse do të krahasojmë fondin e akorduar me ofertën e firmës fituese, do të dalë se BOE ka lënë disa qindarka, duke rritur dyshimet se gjithçka ka qenë e paracaktuar. Po nëse 3 firmat e tjera vetëm vënë emrin po s’kanë ofertë, a kemi një garë formale? Natyrisht prapaskenat e kësaj procedure janë një dosje e vërtetë për Prokurorinë e Posaçme, për shkeljen e barazisë në tendera apo për shumë vepra të tjera.

Në fund, vetëm bashkimi i operatorëve “Primus Albania”, ‘Datech” dhe “ADM” bën ofertë prej 756 milionë lekë pa TVSH. Nëse do të bëjmë një llogaritje rezulton se oferta është plot 98.21 % e fondit limit, duke lënë “rrugës” vetëm 13 milionë lekë.
Përqindjen më të madhe të punëve e ka firma “Primus Albania” me rreth 73 %, më pas “Datech” dhe “ADM” nga 13 %. Më parë, kompania “Primus” quhej “Jehona Software” dhe në vitin 2018 ishte pjesë e tenderit të majmë prej 15 milionë euro. Pas fitimit të kësaj kontrate në atë vit, dy kroatë e blenë kompaninë shqiptare.


Ndërkohë, mediat kanë raportuar se pas aksionerëve kroatë, që janë edhe aktualisht pronarë të “Primus Albania”, dyshohet se “fshihet” ish-shefja e zyrës së Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin. Madje, në vitin 2018, disa muaj para se të fitonin kontratën e majme në Shqipëri, themeluan në Kroaci “Primus Adriatic”./ VoxNews