Dogana gjobit kompaninë “Salillari” me 5 milionë euro, importoi naftë duke shmangur taksat

Nga
A Shehu
Leximi

Dogana e Durrësit ka gjobitur kompaninë “Salillari” me 5.15 milionë euro, pasi ka importuar mbi 1.32 milionë litra naftë diesel 10 ppm, të deklaruar si mall përjashtuar nga taksat për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë, por pa dokumentacionin e duhur.

Vendimi Nr. 626 i autoriteteve doganore flet qartë. Kompania kishte në dorë një autorizim përjashtimi (Nr. 14695) për materiale që do të shërbenin vetëm për projektin e Kuçovës. Ky status e lironte nga TVSH, akciza dhe taksat doganore. Por për sasinë e naftës, audituesit e Sektorit të Porto Romanos nuk gjetën asnjë kërkesë specifike të miratuar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA).

Si u llogarit borxhi doganor i Salillarit

Kontrollet në terren dhe verifikimet në sistemin Asycuda e klasifikuan këtë sasi si “mall në qarkullim të lirë”. Detyrimi fillestar arriti në 156 milionë lekë: 60.4 milionë lekë akcizë, 48 milionë lekë TVSH, 42.7 milionë lekë taksë qarkullimi 4.7 milionë lekë taksë karboni.

Rasti u trajtua si kundërvajtje administrative doganore në neglizhencë (Neni 252). Sanksioni ishte dyfishi i detyrimit të munguar – 312 milionë lekë. Bashkë me detyrimin bazë, totali shkon në 468 milionë lekë, ose 5.15 milionë euro.

Përfaqësuesit e “Salillari” refuzuan të nënshkruajnë procesverbalin. Ata pretenduan se malli mbulohej nga marrëveshja kuadër Shqipëri-NATO. Dogana e hodhi poshtë këtë pretendim.

Pëllumb Salillari dhe kompania që ndërtoi pjesë të bazës “Salillari” sh.p.k. është një nga kontraktorët kryesorë në modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, investim i NATO-s prej rreth 50 milionë eurosh. Kompania, e themeluar në 1994 në Berat dhe e drejtuar nga Pëllumb Salillari, ka një histori të gjatë me kontrata publike. Të dhënat e hapura tregojnë se vetëm në pesë vitet e fundit, shoqëritë e lidhura me të kanë përfituar mbi 170 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes tenderave infrastrukturore.

Në vitet e mëparshme, kompania është përfshirë në polemika publike lidhur me punimet në zonën e Kuçovës, përfshirë denoncime për filmime të ndaluara brenda perimetrit të bazës dhe konflikte me banorët për ndikimin mjedisor. Administrimi i saj ka kaluar ndryshime: emra si Lulzim Salillari dhe Bledar Starova figurojnë në dokumente zyrtare si administratorë në periudha të ndryshme.

Projekti i Kuçovës ka qenë një nga angazhimet më të mëdha të kompanisë në sektorin e mbrojtjes. Autorizimi i përjashtimit që ajo kishte për materialet e projektit ishte i vlefshëm, por dogana kërkonte dokument specifik për çdo sasi karburanti. Mungesa e tij e ktheu naftën në mall të taksueshëm.

Kompania ka të drejtë ankimi administrativ. Deri më tani, pretendohet se procedurat janë të pavlefshme. Dogana e Durrësit e ka konsideruar pretendimin të pabazuar.

Fatura prej 5.15 milionë eurosh mbetet në fuqi. Nëse nuk shlyhet, do të ndiqen hapat e mëtejshëm të ekzekutimit. Për një kompani që luan me kontratat e mëdha të shtetit dhe të aleancës, kjo është një goditje direkte në bilanc.

Shperndaja një miku
Lini një koment