Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë dy të rinj të cilët tentuan t’i merrnin 100 mijë euro në kriptovaluta presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke u shtirur si Taulant Balla. Të prangosurit, Edison Korra dhe Orest Balla, dyshohet se janë pjesë e rrjetit të mashtrimeve financiare të drejtuar nga Florian Gjergji, një personazh i njohur për policinë që ndodhet prej kohësh në kërkim ndërkombëtar.
Ngjarja nisi kur në telefonin e kreut të FSHF-së mbërriti një mesazh nga një profil i rremë në rrjetet sociale, i cili mbante emrin dhe foton e Taulant Ballës. Duke shfrytëzuar njohjen zyrtare mes tyre, mashtruesit i kërkuan Dukes një “ndihmë urgjente” prej 100 mijë eurosh, por me kushtin që shuma të mos kalonte në para cash, por të konvertohej në kriptovaluta.
Duka e kuptoi menjëherë se pas ekranit nuk qëndronte politikani, ndaj vendosi të mos binte në kurthin e tyre por t’i drejtohej menjëherë strukturave të policisë. Pas kallëzimit, agjentët e infiltruar morën në dorë komunikimin përmes profilit të kreut të FSHF-së, duke vijuar bisedën me autorët dhe duke u shtirur sikur po pranonin kushtet e tyre.
Pasi u caktua vendi dhe momenti i dorëzimit të fondit, agjentët organizuan pritën dhe ndërhynë befasishëm. Dy të rinjtë u vunë në pranga pikërisht në momentin kur po tentonin të përmbyllnin transaksionin me paratë e kërkuara.