Xhaketa e kuqe ikonike që Michael Jackson veshi në videoklipin e famshëm “Thriller” do të dalë në ankand në dhjetor në Los Angeles, nga shtëpia e ankandeve Julien’s Auctions. Sipas Daily Mail, çmimi i saj mund të kalojë 10 milionë dollarë.
Ekziston mundësia që kjo veshje të thyejë rekordin për një objekt të lidhur me muzikën, të mbajtur aktualisht nga kitara “Black Strat” e David Gilmour të grupit Pink Floyd, e cila u shit për 14,55 milionë dollarë.
Në të njëjtin ankand do të ofrohen edhe një palë mokasina të zeza që Jackson veshi gjatë xhirimeve të “Thriller”, me një vlerë të parashikuar prej 30 mijë deri në 50 mijë dollarësh, si dhe doreza ikonike me gurë dekorativë, të cilën ai e mbajti gjatë performancës historike të “Billie Jean” në spektaklin “Motown 25”, ku prezantoi lëvizjen e famshme “moonwalk”.
Martin Nolan, bashkëthemelues i Julien’s Auctions, u shpreh se këto objekte përfaqësojnë momente që kanë ndryshuar përgjithmonë historinë e muzikës dhe kulturës pop.