Yll Limani po zgjeron gjithnjë e më shumë hapësirën e tij në skenën ndërkombëtare, ndërsa këtë herë vëmendjen e ka marrë nga një prej mediave të njohura italiane, “Corriere della Sera”. Media italiane i ka kushtuar një artikull të veçantë këngëtarit shqiptar, duke u ndalur te karriera e tij, suksesi në muzikë dhe koncerti i parë në Itali.
Limani do të ngjitet në skenën e ChorusLife Arena në Bergamo më 3 tetor, në kuadër të turneut të tij “Thirrëm Sot ose Nesër”. Kjo do të jetë gjithashtu ndalesa e vetme e turneut në Itali, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm për artistin shqiptar në tregun europian.
Në shkrim, “Corriere della Sera” rikthen në vëmendje edhe fillimet e rrugëtimit muzikor të Yll Limanit. I lindur në Kosovë në vitin 1994 dhe i rritur në një familje me traditë muzikore, ai nisi të bëhej i njohur për publikun shqiptar pas pjesëmarrjes në sezonin e parë të “The Voice of Albania” në vitin 2011.
Më pas, karriera e tij mori një tjetër drejtim me pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës 2016, ku u rendit në vendin e tretë. Prej atëherë, emri i tij është kthyer në një prej më të dëgjuarve në muzikën shqiptare, ndërsa këngët e tij kanë kaluar kufijtë e trevave shqipfolëse.
Media italiane vë në dukje edhe shifrat e suksesit të tij në platformat muzikore. Sipas artikullit, Yll Limani ka rreth 700 mijë dëgjues mujorë në Spotify, ndërsa disa prej projekteve të tij kanë grumbulluar miliona transmetime. Mes tyre përmendet edhe kënga “Malli”, e cila ka kaluar 30 milionë dëgjime.
Turneu aktual, i cili mban të njëjtin emër si albumi i tij i fundit, do ta çojë këngëtarin në disa qytete europiane. Përveç Maqedonisë së Veriut, Gjermanisë dhe Italisë, Limani do të performojë për herë të parë edhe në Londër, ndërsa më 5 dhjetor do të vijojë rrugëtimin në Shtetet e Bashkuara, me një koncert në Nju Jork.