Berlini po përgatitet të shtetëzojë mbi 140 mijë apartamente private nga fondet e mëdha të pasurive të patundshme, në dy vitet e ardhshme, për të frenuar krizën e qirave.
Ky plan është një nga lëvizjet më radikale në tregun imobiliar europian, qëllimi i të cilit është frenimi i krizës së qirave në një qytet ku rreth 85% e popullsisë jeton me qira.
Nisma shënjestron vetëm kompanitë e mëdha private që zotërojnë mbi 10 mijë apartamente në Berlin si Vonovia, Heimstaden, Adler Group dhe Covivio. Kompanitë lejohen të mbajnë një bazë prej 10 mijë njësish, ndërsa pjesa tjetër kalon në pronësi publike.
Kooperativat e banesave, pronarët jofitimprurës dhe të gjitha ndërtesat e reja të ndërtuara pas 1 janarit 2021 janë plotësisht të përjashtuara.
Koalicioni qeverisës i përbërë nga të majtët Die Linke, Socialdemokratët SPD dhe Të Gjelbrit parashikon një tavan dëmshpërblimi prej 16 miliardë eurosh për rreth 140 mijë deri në 150 mijë apartamente në total, të cilat do të shtetëzohen,
Goditja financiare për Vonovia-n
Vonovia është qiradhënësi më i madh në Europë. Sipas përllogaritjeve të Financial Times, kjo kompani zotëron rreth 130 mijë apartamente vetëm në Berlin, nga të cilat rreth 120 mijë rrezikojnë të shtetëzohen.
Për shkak se vlera e kompesimit është dukshëm më e ulët se sa vlera e tregut të apartamenteve, Vonovia vlerësohet se do të humbasë plot 8.4 miliardë euro nga shtetëzimi i apartamenteve të saj.
Kjo humbje prej 8.4 miliardë eurosh përfaqëson rreth 60% të kapitalizimit të saj aktual të tregut, gjë që ka çuar në rënien e aksioneve të kompanisë në nivelet më të ulëta që nga viti 2023.
Debati mbi ligjshmërinë
Plani bazohet në Nenin 15 të Kushtetutës Gjermane, një klauzolë pothuajse e papërdorur kurrë që lejon shtetëzimin e tokës për të mirën e përbashkët. Drejtuesit e Vonovia-s e kanë cilësuar planin si plotësisht “antikushtetues” dhe premtojnë beteja të ashpra ligjore në gjykata.
Qyteti i Berlinit ka tashmë një borxh prej gati 70 miliardë eurosh. Zyra e Auditimit të Berlinit ka paralajmëruar se nëse gjykatat detyrojnë shtetin të paguajë vlerën reale të tregut për apartamentet, kostoja mund të shkojë deri në 40 miliardë euro, gjë që do të falimentonte financat e qytetit.
Kritikët dhe shoqatat e ndërtimit argumentojnë se ky plan tremb investitorët. Ata thonë se paratë e dëmshpërblimit do të ishte më mirë të përdorishin për të ndërtuar apartamente të reja, pasi Berlinit i mungojnë mbi 100 mijë banesa. Si pasojë e pasigurisë, Vonovia ka deklaruar se do të pezullojë projektet e reja që ka në letër.