Dorëheqja e Ergys Verdhos nga posti i drejtorit të Hekurudhave i ka paraprirë akuzave të SPAK. Ai është njohur sot nga Prokuroria e Posaçme me akuzat që rëndojnë ndaj tij, si pjesë e dosjes ku është përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Verdho është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzat për të cilat dyshohet se ka kryer shkelje gjatë kohës kur ka qenë drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, si vartës i Belinda Ballukut.
Duke raportuar drejtpërdrejt në edicionin e lajmeve në Top Channel, Anila Hoxha tha se komunikimi i akuzave ndaj Verdhos vjen pak ditë pasi SPAK i komunikoi pesë akuzat edhe Ballukut.
Verdho i “zhveshur nga kostumi” i drejtorit të Hekurudhave, të cilën e mbante deri dje. Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, ai ka dhënë dorëheqjen.
Prokurori i çështjes Dritan Prençi, ka afat deri në janar të vitit 2027 për të përfunduar hetimet për dosjen ku përfshihen Balluku, si dhe një sërë ish-zyrtarësh dhe zyrtarësh që kanë qenë vartës të saj.
SPAK njoftoi zyrtarisht se ndaj Ballukut rëndojnë akuzat për shkelje e barazisë në tendera, 9 herë, korrupsion, refuzim dhe mosdeklarim i pasurive si dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale