Investitorët e huaj në Shqipëri vazhdojnë të përballen me mungesë transparence, informalitet, vështirësi në zbatimin e kontratave dhe konkurrencë të kufizuar. Këto janë konstatimet e Departamentit Amerikan i Shtetit të publikuara në raportin e vitit 2026 mbi klimën e investimeve në Shqipëri. Në dokumentin prej rreth 40 faqesh theksohen sfidat që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, të drejtat e pronës dhe konkurrencën.
Sipas raportit korrupsioni në administratën publike, sistemin e drejtësisë, prokurimin publik dhe median renditet ndër shqetësimet kryesore të investitorëve. DASH i referohet gjithashtu ndikimit të të ardhurave nga aktivitetet kriminale në ekonomi, duke vënë në dukje se paratë nga trafiku i drogës dhe evazioni fiskal mund të shtrembërojnë konkurrencën.
“PBB-ja për frymë e Shqipërisë mbetet rreth një e katërta e mesatares së BE-së dhe ekonomia mbetet e cenueshme ndaj: Korrupsionit të përhapur, Krimit të organizuar, Pastrimit të parave, Konkurrencës së shtrembëruar, Mungesës së fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit, Produktivitetit të ulët dhe Një sektori të gjerë informal” – thuhet në raport.
Një shqetësim tjetër i raportuar nga investitorët është rreziku i zhvatjes ose shantazhit nga zyrtarët publikë, mediat dhe grupet kriminale. Dokumenti nuk identifikon raste ose individë specifikë, por e rendit fenomenin midis problemeve që ndikojnë në klimën e biznesit.
Investimet Strategjike dhe PPP-të
Raporti ngre gjithashtu pyetje në lidhje me zbatimin e Ligjit për Investimet Strategjike. Sipas dokumentit, shumica e projekteve të miratuara janë përqendruar në sektorin e turizmit dhe janë financuar nga kompani vendase, ndërsa investitorët e huaj kanë raportuar vonesa në marrjen e përgjigjeve nga institucionet.
“Pavarësisht legjislacionit mbështetës, pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi i “investitorit strategjik” dhe shumica e projekteve të miratuara u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Investitorët e huaj që kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik përmendin se përgjigjet nga AIDA janë të ngadalta” – thuhet në raportin e DASH.
Lidhur me partneritetet publik-privat (PPP), Departamenti Amerikan i Shtetit thekson konkurrencën e kufizuar, analizën e dobët dhe mungesën e ekspertizës teknike në disa projekte.