Një 43-vjeçar shqiptar i dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë makabre në Greqi është arrestuar nga forcat speciale në zonën Kato Patisia të Athinës. Sipas raportimeve të mediave greke, gjatë marrjes në pyetje ai dyshohet se ka pranuar përfshirjen edhe në dy vrasje të tjera të kryera në Shqipëri.
Operacioni u realizua nga forcat speciale EKAM në bashkëpunim me policinë greke, ku bashkë me të arrestuarin u ndalua edhe një 41-vjeçare shqiptare, e akuzuar për përkrahje të autorit dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Gjatë kontrollit në apartamentin ku fshihej 43-vjeçari, autoritetet konfiskuan një armë zjarri pistoletë, dy granata funksionale me dy mekanizma ndezës, tre palë pranga metalike, si dhe një leje qëndrimi të falsifikuar me fotografinë e tij.
Ndaj të arrestuarit rëndonin vendime dënimi nga drejtësia greke për vrasje me dashje, grabitje dhe zjarrvënie. Njëkohësisht, verifikimet e kryera përmes Interpolit konfirmuan se ai kërkohej edhe nga autoritetet shqiptare për një grabitje me armë të mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim.
Krimi për të cilin ai ishte dënuar në Greqi daton natën mes 10 dhe 11 tetorit 2020 në Loutraki. Sipas dosjes hetimore, 43-vjeçari goditi për vdekje me sëpatë ish-partneren e tij, një 43-vjeçare ukrainase, dhe partnerin e saj, një farmacist grek. Më pas, pasi u mori para dhe bizhuteri, ai i vuri flakën makinës së viktimës në një zonë të izoluar për të fshehur gjurmët.
Autoritetet policore po vijojnë hetimet për të verifikuar nëse i arrestuari ka qenë i përfshirë në ngjarje të tjera të rënda kriminale ose ekzekutime me pagesë në të dyja vendet.