Edi Rama nuk ndalet: 33 milionë euro nga buxheti për inceneratorin që nuk ekziston

Nga
F Ajazi
Leximi

Edi Rama ka vendosur të mbajë në oksigjen financiar kontratën më të përfolur korruptive të dekadës së fundit në Shqipëri. Megjithëse impianti i djegies së mbetjeve në Sharrë nuk ekziston fizikisht dhe kompania koncesionare ndodhet nën sekuestro preventive nga SPAK, qeveria ka parashikuar edhe 33 milionë euro të tjera nga taksat e qytetarëve për vitet 2027–2029.

Ndërsa ish-zyrtarë të lartë vuajnë dënimet në qeli dhe dy pronarët faktikë të skemës janë në arrati ndërkombëtare, rubineti i Thesarit të Shtetit nuk është mbyllur asnjë ditë të vetme. Përkundrazi, projektbuxheti afatmesëm konfirmon se kryeministri vijon të garantojë politikisht dhe financiarisht një vepër fantazmë.

Edi Rama dhe skema që mban gjallë kontratën e Zotos dhe Mërtirit

Në qendër të kësaj manovre buxhetore qëndron vetë Edi Rama, njeriu që e mbrojti projektin e inceneratorëve si sukses qeverisës edhe kur prokurorët e posaçëm zbarkuan në zyrat e shtetit. Sipas dokumenteve zyrtare të buxhetit, Ministria e Financave ka planifikuar të derdhë në llogaritë e koncesionit 1 miliard lekë në vitin 2027, 1.1 miliardë lekë në vitin 2028 dhe 1.2 miliardë lekë në vitin 2029.

Koncesioni u firmos më 31 gusht 2017 me kompaninë “Integrated Energy BV SPV” – e fshehur pas shoqërisë mëmë në Holandë, “Geogenix BV” – me një kosto investimi të parashikuar prej 128.2 milionë eurosh pa TVSH. Hetimet e SPAK provuan se pas letrave fshiheshin biznesmenët në kërkim, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët sipas dosjes hetimore kishin ngritur një mekanizëm faturash fiktive për punime të pakryera.

Bilanci financiar i kësaj dosjeje në lupën e SPAK përmbledh shifra tronditëse:

  • 112 milionë euro (11.17 miliardë lekë): Totali i parave publike të paguara nga viti 2018 deri në tetor 2026 drejt llogarive të koncesionarit.
  • 33 milionë euro (3.3 miliardë lekë): Fatura e re që qeveria ka rezervuar në projektbuxhetin e viteve 2027–2029.
  • 8 milionë euro fitim neto (para tatimit): Shuma e deklaruar nga kompania e sekuestruar vetëm për vitin 2025, nga 15 milionë euro xhiro vjetore.
  • 53% marzh fitimi: Një normë kthimi jashtë çdo logjike tregu, e financuar drejtpërdrejt nga buxhetet e bashkive për groposjen e 492,935 tonë mbetjeve në vit.
  • 4.1 milionë euro (409.4 milionë lekë): Vlera e faturave të falsifikuara të dokumentuara nga prokuroria për punime inekzistente.

Paratë publike në Sharrë: Fitime rekord nën administrimin shtetëror

Paradoksi më i madh i kësaj historie lidhet me atë që po ndodh pas vendimit të GJKKO-së në korrik 2023 për sekuestrimin e kompanisë. Prej gushtit 2023 dhe deri në emërimin e administratorit të ri shtetëror në korrik 2026 përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara (AAPSK), shteti paguan veten për një shërbim të cunguar.

Qytetarët e Tiranës paguajnë tarifën e kripur prej 29 eurosh për ton me arsyetimin e incenerimit, ndërkohë që në Sharrë mbetjet thjesht groposen. Asnjë kilovat energji nuk është prodhuar dhe asnjë oxhak djegieje nuk është ngritur.

Justifikimi zyrtar i ekzekutivit se pagesat kryhen për “trajtimin e mbetjeve” bie ndesh me vetë objektin bazë të kontratës koncesionare. Me vulosjen e 33 milionë eurove të reja deri në vitin 2029, pyetja që mbetet në tavolinën e prokurorëve të SPAK është e drejtpërdrejtë: kush po mban përgjegjësi penale në kupolën e qeverisë për vijimin e pagesave të një kontrate të kapur në flagrancë me mashtrim financiar?

Shperndaja një miku
Lini një koment