Zahara Marley Jolie-Pitt, është fëmija i tretë i Brad Pitt që ka hequr dorë nga mbiemri i tij.
Vajza e Brad Pitt dhe Angelina Jolie, tashmë zyrtarisht mban vetëm mbiemrin e nënës. Gjykata në Kaliforni ka miratuar kërkesën e 21-vjeçares për të hequr “Pitt” nga emri i saj.
Zahara kishte dorëzuar kërkesën për ndryshimin e emrit në qershor. Vetëm pak ditë më herët, edhe vëllai i saj Maddox kishte nisur procedurën për të hequr mbiemrin “Pitt”. Në shtator, emri i tij u ndryshua zyrtarisht nga Maddox Chivan Jolie-Pitt në Maddox Chivan Jolie.
Ata ndjekin kështu motrën e tyre Shiloh, e cila kishte kërkuar heqjen e mbiemrit të babait në vitin 2024, sapo mbushi 18 vjeç.
Ndërkohë, edhe Vivienne ka nisur procedurën për të kaluar nga “Vivienne Marcheline Jolie-Pitt” në “Vivienne Marcheline Jolie”. Seanca e saj gjyqësore është caktuar për 2 nëntor.
Një histori familjare që vazhdon të tronditë Hollywood-in
Ndryshimet e emrave vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Brad Pitt dhe disa prej fëmijëve të tij janë raportuar si të tensionuara.
Sipas burimeve të cituara nga “PEOPLE”, komunikimi mes aktorit dhe fëmijëve të tij të rritur është aktualisht shumë i kufizuar. Një burim pranë Pitt ka pretenduar se situata është rezultat i një procesi të gjatë largimi të fëmijëve nga babai, ndërsa pretendime të tilla janë pjesë e një historie të kontestuar familjare.
Brad Pitt, 62 vjeç, dhe Angelina Jolie, 51 vjeç, kanë gjashtë fëmijë: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Vivienne e Knox. Çifti u nda në vitin 2016, ndërsa divorci u finalizua në dhjetor 2024.