SPAK mbyll hetimet për Belinda Ballukun, dosja kalon në GJKKO me akuzat për korrupsion dhe dëm prej 5 miliardë lekësh

Nga
A Shehu
Leximi

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe dërgon sot për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) dosjen penale ndaj ish-ministres Belinda Balluku, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe fshehje pasurie. Gjatë procesit hetimor janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1.8 milionë euro, ndërsa dëmi i llogaritur ndaj buxhetit të shtetit kap shifrën e 5 miliardë lekëve.

Sipas prokurorit të çështjes, Dritan Prençi, hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me prokuroren Dorina Bejko dhe 10 hetues u përqendruan në dhjetë procedura prokurimi, ku spikasin Tuneli i Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe tenderi i Albcontrol. Prokuroria argumenton se Balluku ka vijuar të orientojë procedurat edhe pasi kompetencat u kishin kaluar strukturave të tjera, me qëllim paracaktimin e kompanisë “Intecar SRL” në një tender me fond limit rreth 18 miliardë lekë.

Përveç ish-ministres, të pandehur në këtë dosje janë edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave — Gentian Gjyli, Mirzeta Kashnica dhe Evis Berberi — si dhe Viola Haxhiademi. Sipas hetimeve, Haxhiademi ka miratuar preventivë me çmime të fryra, ku fondi limit është përllogaritur gabim me rreth 2 miliardë lekë, duke vepruar në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Ministrave dhe rregullat e analizave teknike.

Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga kreu i SPAK, Klodian Braho, i cili vlerësoi punën e grupit hetimor. Tashmë, i takon GJKKO-së të shqyrtojë dosjen dhe të vendosë për kalimin e çështjes në seancë gjyqësore.

 

Shperndaja një miku
Lini një koment