Elisa Spiropali ka reaguar pas zyrtarizimit nga Edi Rama të përjashtimit të saj nga Partia Socialiste dhe nisjes së hetimeve ndaj saj nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit
Përmes një postimi në Facebook, ajo i kundërvihet atyre që e shohin situatën si një goditje apo fund politik për të, duke përdorur metafora mitologjike, historike dhe akuza të ashpra.
Pa iu referuar emrave apo vendimeve të veçanta, ish-ministrja e ka krahasuar veten me krijesat mitologjike që rigjenerohen kur goditen, duke shkruar: “U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qëniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera.”
Në të njëjtin mesazh, ajo nënvizon se nuk do të pendohet, nuk do të gjunjëzohet dhe nuk do të kërkojë mëshirë, duke shtuar se çdo vendimmarrje duhet të udhëhiqet nga drejtësia dhe jo nga mëshira. Për të përforcuar idenë e vendimeve të forta në interes të vendit, Spiropali sjell në vëmendje figura historike si Perandoresha e Kinës dhe Kleopatra, ndërsa përdor edhe imazhe nga natyra dhe bota shtazore për të folur mbi durimin, këmbënguljen dhe refuzimin për t’u tërhequr.
Një pjesë të spikatur të postimit ajo ia dedikon atyre që i etiketon si “hajdutë dhe manipulues”, duke deklaruar se, ndonëse shfaqen si liberalë, kozmopolitë dhe europianë, në thelb sillen si tiranë.
Në mbyllje të reagimit, Spiropali e lidh qëndrimin e saj me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, duke thënë se nuk ka vetëm një zemër, por “10 milionë zemra të kuqe të përgjakura” që ua dhuron atyre.