Elisa Spiropali i ka kujtuar Edi Ramës se nuk është i pazëvendësushëm në Partinë Socialiste. Pas pëtjashtimit të saj nga PS me kërkesë të Ramës, Spiropali ka theksuar se nëse kryetari i partisë nuk distancohet nga nga qeverisja e inkriminuar duhet të largohet. Në një intervistë në emisionin “Top Story” ajo ka folur për arsyet që, sipas saj, çuan në largimin nga posti i ministres së Jashtme dhe pikënisjen e përplasjeve të saj me Edi Ramën.
“Nuk ka të pazëvendësueshëm. Të gjithë urojnë që të lërë një trashëgimi në Partinë Socialiste, për të krijuar një legacy të drejtë dhe edhe të asaj që ai ka bërë, sepse ka bërë jo pak për Shqipërinë. Nuk mund sot ta hedhë poshtë të gjithë këtë trashëgimi. Nuk mundet që një parti e tërë të shkojë pas dhe të ndjekë apo të bëhet mburojë për disa njerëz që nuk e meritojnë besimin as të kësaj partie, as të Shqipërisë.
Edi Rama nëse patjetër do të rrijë në krye të kësaj force politike dhe të kësaj qeverie dhe të rrijë me nder. Duhet patjetër që të bëjë divorcin e tij nga këto praktika. Duhet patjetër që të ndahet nga ky model qeverisjeje.”, u shpreh Spiropali.
Spiropali u ndal te qëndrimi i saj për çështjen e Belinda Ballukut, duke pranuar se mosvotimi për heqjen e imunitetit të saj ishte një akt politik. Ajo theksoi se kundërshtimi nuk kishte të bënte me mbrojtjen personale të Ballukut, por me modelin e qeverisjes që, sipas saj, përfaqëson.
Spiropali u shpreh se Balluku është modeli më i keq i qeverisjes brenda forcës politike, por shtoi se ndien keqardhje për të në aspektin njerëzor.
“Dua ta them me plot gojën që, sa u takon fjalëve që janë thënë për antiligjshmëritë, për lidhjet me partnerët, këto janë mënyrat, besoj unë, më primitive për të adresuar problematika që nuk kanë lidhje me të.
Nëse mund ta them me emër, për Belinda Ballukun, dhe kam bërë një akt politik, mosvotimi për heqjen e imunitetit. Jo se dua të shoh një grua në pozita të tilla, por për shkak të moslegjitimitetit të modelit. Këtu fillon dhe mbaron problemi.
Njerëz që, siç ka dalë më pas, kanë qenë duke shpërndarë favore politike me emra, a ka vlerë emrat? Jo, vlerë ka modeli. Unë besoj se Belinda Balluku, që më del emri gjithkund me përballjen me vetveten dhe pse nuk e kam përmendur, është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike dhe viktima më e freskët e një modeli që duhet të ndryshojë. Këtë kam menduar kur nuk kam shkuar të votoj. Kam keqardhje edhe për të, për faktin që është grua, për fëmijët, madje edhe për shpirtin e saj, lutem”, u shpreh Spiropali.