Pas tërmetit të nëntorit 2019, lëkundjet në qytetin e Durrësit vazhdojnë të ndihen fort në arkën e financave publike. Një raport përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi veprimtarinë e Bashkisë Durrës për periudhën 2023–2024 zbulon se fondet e emergjencës dhe rindërtimit janë menaxhuar përmes një skeme të mirëmenduar, e cila garantonte çmime tavan dhe zero garë reale.
Në qendër të kësaj dosjeje qëndrojnë dy procedura të kufizuara prokurimi të zhvilluara në korrik të vitit 2024 për përforcimin e pallateve të dëmtuara. Me një fond limit të përbashkët prej 447.7 milionë lekësh (rreth 4.5 milionë euro), të dyja kontratat u fituan në të njëjtën ditë nga i njëjti bashkim operatorësh: Rajli Ndërtim dhe G.P.G. Company.
Anatomia e tenderave fiktivë dhe shkeljet e konstatuara nga KLSH
Shifrat e auditimit tregojnë një saktësi matematikore që sfidon çdo ligj të tregut të lirë. Për pallatin “Big Kristi”, oferta fituese arriti në 156 milionë lekë përballë fondit limit prej 156.3 milionë lekësh (99.76% e vlerës), ndërsa për pallatet në rrugën Pelikan, kontrata u mbyll në 290.57 milionë lekë (99.75%), duke i kursyer buxhetit të shtetit më pak se 0.25%.
Për të arritur këtë rezultat, procesi i vlerësimit u deformua në çdo hallkë të tij. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave veproi si një filtër eliminues, duke skualifikuar padrejtësisht katër nga gjashtë ofertuesit në rrugën Pelikan me argumente të pabazuara apo duke ngatërruar targat e mjeteve. Ndërkohë që konkurrentët e vërtetë nxirreshin jashtë loje, fituesve iu fal mungesa e deklarimit të mjeteve bazë për kantierin, si fadroma, autobetonierë dhe skeleri, si dhe mungesa e fotografive provuese të makinerive.
Për më tepër, duke fituar dy tendera në të njëjtën ditë me afat identik prej 224 ditësh, bashkimi i kompanive përdori të njëjtat mjete, të njëjtin staf dhe të njëjtin drejtues teknik për dy kantiere njëkohësisht, një dublim kapacitetesh që sipas auditimit detyronte skualifikimin e tyre. Nxitimi për të lidhur kontratat anashkaloi edhe sigurinë ligjore, pasi për pallatin “Big Kristi” Bashkia Durrës lejoi nisjen e punimeve pa pasur një leje ndërtimi në dosje dhe pa kryer oponencën teknike të projektit.
Monopoli i fondeve publike dhe lidhjet me Bashkinë
Skema e zbuluar nga KLSH-ja është vetëm maja e ajsbergut e një praktike të përsëritur në pesë vitet e fundit. Në garat e rindërtimit, bashkimi Rajli Ndërtim – G.P.G. Company dhe kompania Inerti duket se kanë ndarë zonat e ndikimit, duke u vetë-eliminuar me radhë në tendera të ndryshëm për t’i hapur rrugën njëra-tjetrës me çmime pranë fondit limit.
Kompania Rajli Ndërtim, e zotëruar nga Enkeleda Gojashi (e njohur për angazhimin në strukturat zgjedhore të Partisë Socialiste) dhe Lediana Mata, ka arkëtuar mbi 30 milionë euro nga fondet publike që nga viti 2019, ku pothuajse 100% e të ardhurave burojnë nga kontratat me Bashkinë e Durrësit të drejtuar nga Emiriana Sako. Megjithë qarkullimin marramendës, bilancet zyrtare në QKB tregojnë fitime modeste, çka shton dyshimet mbi fryrjen e kostove dhe shpërndarjen e fondeve.
Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të audituesve shtetërorë ndër vite, procedura e prokurimeve të mbyllura vijon e pandërprerë, duke e kthyer misionin publik të rindërtimit në një rentë të sigurt private.