Debate në Asamblenë e PS, Rama kërkoi përjashtimin e Spiropalit dhe Ndreca kundërshtojnë Xhafaj dhe Braçe

Nga
A Shehu
Leximi

 

Tensionet kanë kapluar mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin nga radhët e partisë të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Megjithatë, përballë kundërshtimeve të forta nga figura të rëndësishme të partisë, propozimi nuk është hedhur në votim, duke i lënë të dy emrat sërish anëtarë të forcës politike.

Përplasja nisi pasi Rama e akuzoi ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, për qëndrime kritike ndaj drejtimit të partisë dhe strukturave të saj, duke i drejtuar frazën: “Nuk mund t’i gjuash shtëpisë tënde me gurë”.

Nga ana e saj, Spiropali nuk është tërhequr, duke iu kundërvënë akuzave dhe duke theksuar se kritikat e saj nuk e kanë dëmtuar imazhin e PS-së:

“Me veprimet e mia nuk e kam turpëruar Partinë Socialiste. Ndër ne ka që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet të jem flamingo, më quani flamingo.” , u shpreh Spiropali.

Në shënjestër të kryesocialistit ka qenë edhe Plarent Ndreca, ish-deputet dhe avokat i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Pavarësisht kërkesës së prerë të Ramës për t’i larguar, nisma u bllokua pas rezervave të shprehura hapur në sallë nga emra si Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe, ky i fundit duke theksuar se “PS nuk është parti që përjashton anëtarët e saj”. Sek. i Përgjithshëm Blendi Klosi konfirmoi më pas se Spiropali mbetet anëtare e partisë.

Ndërkohë, mbledhja solli edhe ndryshime të rëndësishme në drejtimin e Tiranës: qarku do të drejtohet politikisht nga Ogerta Manastirliu (duke marrë postin dikur të Veliajt), ndërsa dega e kryeqytetit do të udhëhiqet nga dy bashkëkryetarë, Ervin Demo dhe Albana Koçiu.

 

Shperndaja një miku
Lini një koment