Dështon seanca e radhës në GJKKO, Ilir Meta ironizon Veliaj: Çojini ndonjë gjë për të ngrënë në burgun e Fierit

Nga
A Shehu
Leximi

Transferimi i Erion Veliaj në burgun e Fierit është ironizuar nga ish-Presidenti Ilir Meta, ndërkohë që zhvillohej seanca e radhës gjyqësore ndaj tij dhe Monika Kryemadhi në Gjykayën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. “Çojini ndonjë gjë për të ngrënë Veliajt, se do e lënë edhe pa bukë këta, vetëm se kritikoi Vuçiçin”, ka qenë batuta ironike e Metës drejtuar Veliajt.

Në një sallë ku vëmendja u nda mes zhvillimeve politike të ditës dhe ngërçit të radhës ligjore, procesi u përfshi sërish nga kaosi për shkak të bojkotit të avokatëve.​Pavarësisht se Apeli Administrativ kishte vendosur të pezullonte vendimin e Dhomës së Avokatisë, mbrojtësit e ish-çiftit presidencial refuzuan të merrnin pjesë, me arsyetimin se nuk kishin marrë njoftim zyrtar përmes rrugëve ligjore.

Kjo situatë la sërish në pezullim rreth 600 procese gjyqësore në mbarë vendin.​Kur trupi gjykues hyri në sallë, Ilir Meta e vuri theksin te mungesa e garancive për mbrojtjen:​“Fakti që mungon prokurori Kllapi nuk është shenjë e mirë. Nuk më duket e arsyeshme që e nisni gjyqin nga avokatët dhe jo nga unë, si i pandehur kryesor. Profesioni i avokatit varet thelbësisht nga DHKA-ja. Nuk është çështje mungese vullneti, por avokati im nuk mund të rrezikojë licencën… Kërkojmë që, për shkaqe dhe arsye objektive, të mbrohem vetë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka pranuar raste të tilla.”​

Në krahun tjetër, Monika Kryemadhi e cilësoi bojkotin si një shpërdorim të profesionit të avokatit, duke kërkuar vazhdimin e seancës. Ndërkohë, prokurori Arben Kraja këmbënguli në praninë e detyrueshme të një mbrojtësi për shkak të rëndësisë së akuzave, duke shkaktuar reagimin e ashpër të Kryemadhit, e cila e quajti këtë qëndrim hipokrizi dhe përmendi shkeljet e pretenduara gjatë kontrolleve dhe marrjes së provave.​

Përballë këtij bllokimi, Gjykata e Posaçme u tërhoq për vendim dhe më pas vendosi të shtyjë seancën, duke caktuar avokatë kryesisht për ish-çiftin Meta-Kryemadhi.

Shperndaja një miku
Lini një koment