Komisioni Europian prezantoi këtë të martë një formulë të re zgjerimi që synon të përshpejtojë procesin, duke hequr disa nga mundësitë e bllokimit gjatë negociatave dhe duke i integruar kandidatët në politikat europiane përpara anëtarësimit të plotë. Por ka edhe një çmim për t’u paguar, anëtarët e rinj mund të mbeten nën një regjim të posaçëm kontrolli për 15 vjet pasi të futen në BE.
Shqipëria del relativisht e fituar nga skema e re. Bashkë me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, ajo është vendosur në grupin e katër kandidatëve më të avancuar për të cilët Komisioni do të përgatisë udhërrëfyes të anëtarësimit, me kusht që të ruhet ritmi i reformave. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se bileta është prerë për të hyrë në klubin e vendeve të Bashkimit Europian, por është një sinjal se Brukseli po fillon të projektojë konkretisht zgjerimin e ardhshëm dhe Shqipërinë e sheh brenda grupit të parë.
Më së paku, Komisioni po e pranon indirekt se ekziston edhe problemi në anën tjetër të kufijve, se BE-ja me 27 anëtarë dhe me rregullat aktuale nuk është aq e përgatitur për një zgjerim të madh.
Kufizimi i vetos për vendet kandidate
Një prej ndryshimeve që mund të ketë ndikimin më të drejtpërdrejtë për Shqipërinë është kufizimi i vetos gjatë fazave të negociatave. Komisioni propozon përdorimin e shumicës së cilësuar për disa vendime të ndërmjetme, përfshirë faza të hapjes së negociatave, në mënyrë që një shtet i vetëm të mos jetë në gjendje të bllokojë gjithë procesin.