Masakër mjedisore në lumin Shkumbin, dhjetra mjete gërryejnë çdo ditë për inerte

Nga
A Shehu
Leximi

Një sipërfaqe tepër e madhe, buzë lumit Shkumbin, në fshatin Kurtaj në Peqin, po gërryhet dita-ditës për inerte.

 

Dhjetëra kamionë dhe ekskavatorë gërryejnë cdo ditë, ndërkohë që asnjë institucion kontrollues, policia, IKMT apo IMT e Bashkisë Peqin, nuk e kishte konstatuar.

Grupi i xhirimit nga emisioni “Fiks Fare” ka udhëtuar në fshatin Kurtaj, Peqin, pas informacioneve se buzë lumit Shkumbin, në tokë arë, po gërryhej nga automjete të tonazhit të rëndë. Zona nuk është në lumë, por në një tokë bujqësore anës lumit, ku personat kanë gërryer disa hektarë, duke marrë zhavorr. E gjithë zona ngjason me një krater të madh, jo nga bombat, por nga dora dhe makineritë e njeriut. Fiksi filmon me dron automjetet e rënda që mbushen në atë vend dhe i dërgojnë inertet disa metra më larg, në një kantier të stërmadh të mbushur me inerte, që tashmë ngjason me një mal të madh. Janë me dhjetëra mjete që mbushen.

 

Pas këtij konstatimi, grupi i Fiks Fare shkon në atë vend. Të gjithë drejtuesit e mjeteve të rënda, sapo shikojnë grupin,

largohen me shpejtësi. Kamionët ikin pa ngarkuar dhe të gjithë ndërpresin punimet. Në atë vend qëndron vetëm fadromisti, teksa Fiksi tenton që t’a pyesë. Ai thotë se tani ka filluar dhe nuk preferon të filmohet. Mbulon fytyrën dhe thotë se “me mua e gjetët”. Më pas largohet me vrap, ku grupi i Fiksit e ndjek por ai largohet me shpejtësi.

Shperndaja një miku