Kur hapim kompjuterin apo telefonin në shtëpi, fatura që paguajmë çdo muaj për internetin nuk përcaktohet thjesht nga konkurrenca që shohim në dyqanet e lagjes. Përtej paketave “3-në-1” dhe ofertave me zbritje, ekziston një treg tjetër, i padukshëm për sytë e publikut. Ky është tregu me shumicë i telekomunikacionit.
Në Shqipëri, ky treg dominohet nga një infrastrukturë e ngurtë celulare (ONE Albania dhe Vodafone Albania) dhe një koncesion historik gjeografik, ai i ATU (Albanian Telecommunications Union) përgjatë autostradave kombëtare.
Ky bllokim i infrastrukturës bazë po e dënon konsumatorin shqiptar me raportin më të pafavorshëm në rajon midis çmimit dhe shpejtësisë së shërbimit e ashtuquajtura value for money.
Edhe pse shumë pak qytetarë mund të kenë dëgjuar për ATU-në në faturat e tyre, kjo kompani menaxhon “autostradën kryesore digjitale” (Backbone) të vendit. Kur një operator i vogël interneti (ISP) në Vlorë, Korçë apo Kukës dëshiron t’u ofrojë internet klientëve të tij, ai nuk mund të shtrijë kabllo private përgjatë rrugëve kombëtare pa paguar tarifa të larta. Ai detyrohet të marrë me qira linjat e ATU-së apo dy operatorëve të mëdhenj.