Mijëra fermerë në të gjithë vendin rrezikojnë të humbasin automatikisht të drejtën e kompensimit 10% të TVSH-së duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, si pasojë e vendimit të qeverisë për të përgjysmuar pragun e regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë. Paralajmërimi vjen nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, i cili vlerëson se kjo ndërhyrje do të godasë drejtpërdrejt financat e bujqësisë dhe do të nxisë rikthimin e tregut në informalitet.
Sipas legjislacionit tatimor në fuqi, kompensimi prej 10 për qind mbi vlerën e shitjeve – një mekanizëm që u kthen prodhuesve bujqësorë TVSH-në e paguar për inputet dhe shërbimet – u takon vetëm fermerëve që kanë qarkullim vjetor nën kufirin minimal të regjistrimit për TVSH. Me uljen e këtij tavani në 5 milionë lekë, çdo fermë që tejkalon këtë xhiro do të futet detyrimisht në skemën e TVSH-së, duke u përjashtuar menjëherë nga përfitimi i kompensimit.
Duke e përshkruar situatën si një mekanizëm ku “kompensimi i jepet fermerit me dorën e djathtë dhe i merret me të majtën”, eksperti i politikave fiskale Artur Papajani thekson se kjo lëvizje përmbys premtimet dhe zbatimin e deritanishëm të skemës mbështetëse.
”Përgjysmimi i paneglizhueshëm i pragut të regjistrimit në TVSH, nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë, nga janari i vitit të ardhshëm do të privojë nga e drejta e kompensimit një grup të madh të fermerëve që tejkalojnë me shitjet e tyre vlerën e pragut të ri 5 milionësh,” analizon Papajani.
Përtej humbjes së menjëhershme financiare, pasoja më e rëndë pritet të jetë frenimi i zhvillimit dhe formalizimit në fshat. Sipas ekspertit, fermerët që synojnë të zgjerojnë kapacitetet prodhuese apo të rrisin vlerën e produkteve vendase në treg, do të gjenden përballë një pengese fiskale. Për të mos kapërcyer pragun e ri dhe për të ruajtur kompensimin, shumë ferma do të shtyhen drejt informalitetit, duke refuzuar faturimin dhe bashkëpunimin me blerësit e regjistruar formalisht.
Në përfundim të reagimit të tij, ish-kreu i Tatimeve e cilëson uljen e pragut si një masë të pastudiuar me dëme kolaterale në ekonomi, duke nënvizuar se oksigjenin kryesor informalitetit në bujqësi po ia japin vetë vendimet e nxituara fiskale.