Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar të kryejë analizat paraprake në spitalin Memorial të Fierit këtë të diel, duke kërkuar nga GJKKO-ja që të vendosë mbi ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë dhe mbi zgjedhjen e spitalit dhe mjekut.
Analizat mjekësore ishin planifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në kuadër të përgatitjeve për operacionin e parashikuar për të hënën, më 23 nëntor. Sipas burimeve, Veliaj mësohet të ketë deklaruar: “Unë jam drejtuar GJKKOsë për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në spitalin Memorial Fier.”
Në një reagim të mëpasshëm publik, Veliaj sqaroi se nuk e ka refuzuar trajtimin mjekësor në vetvete, por ka kundërshtuar kryerjen e operacionit në një spital të caktuar nga kryeministri Edi Rama, të cilin e akuzoi se po përdor makinerinë e PR-it për ta sulmuar edhe për këtë çështje.
“E vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?”,shkruan Veliaj.
Sipas kryebashkiakut, ai i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me synimin që ndërhyrja të kryhet pranë mjekut dhe spitalit të përzgjedhur prej tij dhe familjes së tij.