Nis lufta politike në PS, Veliaj publikon kërcënimet e Ramës përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu mohon bisedat

Nga
A Shehu
Leximi

Erion Veliaj dhe Edi Rama duket se kanë nisur një luftë të ashpër politike mes tyre. Pas pretendimeve të kryeministrit në një mbledhje me strukturat e Partisë Socialiste se kryetari i Bashkisë së Tiranës ka financuar protestat për rrëzimin e tij, Veliaj ka sfiduar hapur Ramën nga burgu. 

Përmes një postimi në rrjetet sociale ai shprehet se është kërcënuar nga Rama në burg, nëpërmjet ministrit Toni Gogu. Veliaj thotë se Rama kërkon ta zëvendësojë me Arbër Hajdarin.

”Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim. Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai. Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time. Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”, shkruan Veliaj.

Ndër të tjera, Veliaj ka përshkruar takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, të zhvilluar të premten në orën 22:30, pas 20 muajsh pa një takim të tillë:

”Letra e plotë:

E premte, ora 22:30

Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.

TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.

R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:

– Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.

– Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).

– Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën.”

 

Çfarë deklaroi Toni Gogu për takimin me Veliajn në burgun e Fierit

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka konfirmuar pasditen e sotme në një reagim në Facebook se të premten ka takuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, por ka mohuar pretendimet se i ka përcjellë porositë dhe kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.

Gogu deklaroi se vizita është zhvilluar në kuadër të detyrës së tij si ministër, për t’u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar shqetësimet e ngritura publikisht nga avokati i tij, por shprehet i habitur nga ato që i janë atribuar pas takimit.

“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.

Po, e kam tauar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.

Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.

Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.

Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.

Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.”– shkruan Toni Gogu në reagimin e tij.

Shperndaja një miku
Lini një koment