Serbia voton, pjesëmarrje masive në zgjedhje, por edhe parregullsi

Nga
A Shehu
Leximi

Serbia zhvillon sot zgjedhjet e parlamentare, në të cilat raportohet për pjesëmarrje të lartë, por edhe për situatë të tensionuar dhe parregullsi. Sipas organizatës joqeveritare që vëzhgon procesin, Crta, deri në orën 16:00 votuan 56.4 për qind.

Përditësimi i fundit sa i përket daljes në zgjedhje nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë është bërë orë më parë, kur u raportua për 34.55 për qind pjesëmarrje në zgjedhje deri në mesditë.

Në këto zgjedhje, të tretat parlamentare në pesë vjetët e fundit, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare po synon t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Qendrat e votimit janë të hapura nga ora 07:00 dhe qytetrët e Serbisë mund të votojnë deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.

Vuçiç dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.

Gjatë procesit zgjedhor janë regjistruar disa incidente në Serbi.Avokati i Popullit i Serbisë tha se ka pranuar një numër të madh të ankesave nga qytetarët, kryesisht të lidhura me konfliktet dhe incidentet afër qendrave të vendvotimeve, përfshirë pretendime të sulmeve ndaj më të moshuarve.

Ai dënoi “çdo formë të dhunës ndaj të moshuarve, si dhe sulmet ndaj anëtarëve të familjeve të politikanëve gjatë zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht nga cila parti janë”.

Komisionari për Mbrojtje dhe Barazi, Millan Antonijeviç raportoi në X për Euronews se nëna e Aleksandar Vuçiçit u sulmua në një vendvotim.Ai shkroi se ky incident paraqet “një vijë të kuqe që kurrë nuk duhet të kalohet”.

Policia serbe po ashtu ka ndërhyrë në një lagje të Novi Sadit ku u mblodhën qytetarë. Disa persona thanë se kanë parë njerëz me para dhe zarfe. Ndërkaq, organizata Crta tha se gjashtë burra dhe një grua penguan një vëzhguese para një qendre votimi, duke e ofenduar.

Ndërkaq, në Pançevo, një grup i personave të maskuar kanë sulmuar disa të rinj para një qendre votimi, kanë raportuar mediat lokale.Sipas një videoje të publikuar nga Pancevo.city, personat e maskuar me shufra hekuri sulmojnë të rinjtë dhe njëri prej të rinjve shihet i gjakosur në fytyrë.

Organizatat që po vëzhgojnë zgjedhjet kanë raportuar edhe për parregullsi zgjedhore.“Medalja tjetër e ditës së zgjedhjeve është përshkruar me parregullsi që ne kemi regjistruar dhe të cilat ende po analizohen dhe të cilat mund të ndikojnë në rezultatin zgjedhor”, Rasha Nedelkov nga Crta.

Kjo organizatë ka vëzhgues në 500 qendra votimi në Serbi.“Kemi regjistruar presion ndaj votuesve në tri qendra votimi, 18 për qind janë parregullsi procedurale, parregullsi të lidhura me integritetin e votimeve janë regjistruar në 17 për qind të vendvotimeve.Në mesin e tyre, më të theksuara janë: fotografimi i fletëvotimit, dështimi për të përdorur llambat ultravjollcë dhe votimi pa dokumente të vlefshme”, tha ai.

Nedelkov tha se disa incidente janë regjistruar në pjesë të ndryshme të Beogradit, Vranjës Lazarevcit dhe Novi Sadit, përfshirë dy raste të presionit ndaj vëzhguesve të organizatës.Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqiç.

Shperndaja një miku
Lini një koment