Pas orëve të gjata diskutimesh Kuvendi miratoi reformën e re administrativo-territoriale me 85 vota pro. Reforma nuk mori konsensusin e opozitës, por edhe të disa deputetëve brenda frontit qeverisës.
Varianti i mazhorancës synon të krijojë njësi vendore më të mëdha dhe financiarisht më të qëndrueshme, me reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, por raporti përfundimtar i Komisionit Parlamentar evidenton se bashkimi territorial nuk mjafton për të garantuar shërbime më të mira. Reforma kërkon ndryshime të thella në shpërndarjen e kompetencave, financimin e pushtetit vendor dhe organizimin rajonal. Ndërkohë, opozita propozoi një model të kundërt, me mbi 92 bashki, duke argumentuar se pushteti vendor duhet të jetë më afër qytetarëve.
Dymbëdhjetë vjet pas reformës së vitit 2014, që reduktoi numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki, Shqipëria po shkon drejt një konsolidimi të mëtejshëm territorial.
Sipas reformës se re 15 bashki do të humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore, duke iu bashkuar bashkive më të mëdha fqinje. Reforma mbështetet në synimin për të ulur kostot administrative, për të përqendruar burimet financiare dhe për të rritur kapacitetet e bashkive për të ofruar shërbime publike.
Megjithatë, raporti përfundimtar prej 357 faqesh i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale tregon se problemet e pushtetit vendor janë më të gjera sesa madhësia e bashkive.