Moderatorja Grida Duma ka rrëfyer në emisionin “Goca dhe Gra” se imazhi i gruas së fortë që nuk dorëzohet kurrë është kthyer në dobësinë e saj më të madhe, pasi i largon njerëzit dhe bën që të tjerët të mos e kuptojnë kur ajo po vuan.
Duke lënë mënjanë temat e zakonshme publike, Duma ndau me Ema Andrean, Ori Nebiajn dhe Selin Bollatin një reflektim të pazakontë mbi raportin që ka me veten dhe emocionet. Ajo pranoi se pikërisht qëndrueshmëria që e ka ndihmuar të përballojë sfidat e jetës shpesh i bën njerëzit rreth saj të harrojnë se edhe ajo ka momente të vështira, kur ka nevojë për mbështetje dhe mirëkuptim.
“Është njësoj si dashuria dhe urrejtja që takohen. Dobësia ime është forca ime. Nuk ka nevojë të jem kaq e fortë sa jam. Të jesh gjithnjë e fortë largon njerëzit nga vetja. Më mungon empatia e të tjerëve, më mungon fakti që nuk ma kupton asnjëherë askush që vuaj,” u shpreh ajo.
Moderatorja pranoi se e ka kuptuar tashmë koston e zgjedhjeve dhe të rrugës që ka ndjekur, duke lënë të kuptohet se pas fasadës së fortë që projekton në publik, jo gjithmonë arrin të marrë vëmendjen dhe dashurinë që kërkon.
E pyetur se çfarë do të donte të ndryshonte në këtë qasje, Duma tha se do të dëshironte të ishte më e butë me veten dhe të jetonte pa ndjesinë e vazhdueshme të detyrimit. Ajo shpjegoi se prej vitesh funksionon vetëm mbi parimin e asaj që “duhet” të bëjë, duke lënë pas dore dëshirat e saj personale.
“Duhet dhe dua gjithë kohën, mund të jetë edhe vetëm dua, pa duhet. Dhe këtë gjë unë nuk e kam takuar akoma në jetën time,” përfundoi ajo.