Disa vijnë për t’u takuar, disa për të luajtur, disa për t’u ushqyer, të tjerë për të reflektuar. Disa janë thjesht kalimtarë, pa biletë, pa ftesë, pa një qëllim të caktuar.”
Kështu e përshkruan Parkun Rinia videoja hyrëse e konkursit “Tirana Fountain Plaza”. Por projekti që doli fitues nuk është për kalimtarët.
Studio daneze BIG (Bjarke Ingels Group) fitoi konkursin për kullën që do të zërë vendin e kompleksit “Tajvani” në parkun qendror të Tiranës. Projekti i saj propozon një ndërtesë 78 metra të lartë, të ngritur mbi kolona, me zyra, hotel dhe apartamente private, mbi rreth tre kate nëntokësore për parkim dhe logjistikë.
Rastësia e do që ky të ishte i vetmi nga pesë projektet për të cilin Kryeministri Edi Rama bëri publikisht një sugjerim projektimi gjatë prezantimit. Vetëm një orë më parë, ai kishte thënë se juria vendos “tërësisht e lirë” dhe pa “asnjë orientim”.
Parku i vetëm i madh në qendër të kryeqytetit, monument kulture që nga viti 2007 dhe i rikonstruktuar me para publike gjashtë vjet më parë, do të ridizenjohet tani nga një zhvillues privat. Konkursi u zhvillua pa asnjë thirrje publike, para një jurie ku Kryeministri tha se nuk kishte ndikim, pavarësisht se zuri një vend mes tyre.
“Pesë studio, e njëjta porosi”
Në garë ishin pesë studio ndërkombëtare: Barozzi Veiga nga Spanja, BIG dhe COBE nga Danimarka, si dhe l’AUC dhe JDS Architects nga Franca.
Në njoftimin zyrtar, Kryeministria e quan konkursin “të kërkuar nga shteti, me nismë të sipërmarrjes private”. Porositësin nuk e përmend. Në ekranet e sallës ai kishte një emër, “Taiwan Development”.
Materialet e prezantuara tregojnë se pesë ekipet punuan mbi pothuajse të njëjtën porosi. Të pesë propozimet parashikojnë hotel dhe apartamente private, dhe të pesë kanë parkim nëntokësor.
BIG (fitues): ndërtesë 78 metra mbi kolona, me zyra, hotel dhe banim, mbi rreth tre kate nëntokësore.
Barozzi Veiga: kullë cilindrike rreth 30-katëshe, me zyra, hotel dhe banim, mbi pesë kate parkimi.
COBE: rreth 21 mijë metra katrorë hotel dhe banim, me versione deri në 45 mijë metra katrorë.
l’AUC: tre volume, mes tyre një kullë rreth 28-katëshe, me gërmim deri në 22 metra nën tokë. Në diagramin e programit të saj, funksioni publik zë një kat nga rreth 40.
JDS Architects: dy kulla rreth 30-katëshe, të bashkuara në majë si hark.
Sipas prezantimit të Barozzi Veigas, gjurma e godinës së sotme të Tajvanit është rreth 1,850 metra katrorë. Faqja e kompleksit e përshkruan atë me rreth 10 mijë metra katrorë sipërfaqe.
2001, kishte si administrator Avni Braçajn. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të publikuara nga OpenCorporates, Besnik Sulaj rezulton pronar përfitues i 80% të saj.
Në vitin 2016 kompleksi u vu nën sekuestro për një borxh prej 690 mijë eurosh. Në gusht 2019 Hetimi Tatimor e bllokoi lokalin në kuadër të aksionit kundër informalitetit. Në qershor 2020 qeveria ia rinovoi kazinosë licencën për dhjetë vjet, në emër të Skënder Sulajt dhe Avni Braçajt.
Në prill 2018 administrimi i parkut kaloi te Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, me vendimin nr. 49 të Këshillit Bashkiak. Një vit më pas, Bashkia e Tiranës hapi tenderin për rehabilitimin e tij, me fond limit 104.6 milionë lekë (rreth 1 miliard lekë të vjetra). Nga tetë kompani pjesëmarrëse, shtatë u skualifikuan. Fitoi e vetmja që mbeti, Agi Kons.
Punimet nisën në korrik 2019. Miratimi i Këshillit të Trashëgimisë për projektin e SON mban datën 22 janar 2020, gjashtë muaj më vonë. Parku u përurua më 1 qershor 2020.
Dy vjet më pas, Agjencia e Parqeve hapi një tender të ri për zonën e lojërave, sërish me një ofertues të vetëm. Sot, më shumë se gjashtë vjet pas atij investimi, parku përgatitet të ridizenjohet përsëri, këtë herë nga një zhvillues privat.
Në fjalimin e tij Kryeministri i parapriu akuzave për “shkatërrimit të trashëgimisë”. Ai tha se “e kundërta është e vërtetë”. “Jemi përpara një cope historie”, pranoi ai, por argumentoi se kjo histori është transformuar vazhdimisht, nga komunistët që ndërtuan Tajvanin, nga ekonomia e tregut që e zgjeroi, dhe se ky është thjesht transformimi i radhës.
Duke mbrojtur nevojën për studiot e huaja, ai shtoi: “Ndërtimi i kullave është kaq kompleks, është kaq delikat dhe kërkon kaq shumë profesionistë të bërë bashkë, saqë ne duhet ta pranojmë që ne nuk e kemi akoma në Shqipëri të gjithë kapacitetin dhe nuk i kemi të gjitha dijet për të bërë ndërtime të kësaj natyre.”
Projekti i BIG ka ende nevojë për leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit, që e kryeson Rama, dhe për miratimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale. Asnjë nga këto procedura nuk ka nisur publikisht./Citizens