Përpos një sage aferash korruptive, shkeljesh, intrigash, gjueti shtrigash dhe spiunllëqeve, rektori i Universitetit të Mjekësisë Xheladin Draçini, i njohur si Tano Karidi i Mjekësisë, vijon të shkelë nenin 19 pika 3 dhe nenin 25 pika 6 të Statutit të Universitetit të Mjekësisë, duke mbajtur në Senatin Akademik të UMT-së ish studenten Klea Veli, të cilës i ka mbaruar mandati si anëtare e senatit që nga muaj qershor i këtij viti, për shkak të humbjes së statusit të studentit, pasi ka përfunduar studimet.


Prej pesë muajsh, spiuni i ish Sigurimit të Shtetit dhe më pas i SHIK-ut të Gazidedes kamufluar si teknik televizorësh, Draçini, mban në mënyrë të paligjshme zonjushën Klea Veli, ish studente, e cila në shkelje të ligjit ka votuar aferat e dyshuara korruptive të Tano Karidit. Jo vetëm kaq, por rektori i Universitetit të Mjekësisë Xheladin Draçini ka kryer veprime penguese për zëvëndësimin e ish studentes Klea Veli, me qëllim për të kontrolluar votat në senat për finalizimin e interesave, marrëveshjeve të dyshimta, projekteve dhe aferave të dyshuara korruptive. Teksa Ministria e Arsimit i kërkon të procedojë në mënyrë urgjente për zëvëndësimin e ish studentes, Draçini zvarrit dhe pengon zbatimin e ligjit përmes shkresave burokrarike.

Në një kohë kur Ministria e Arsimit i kërkon të procedojë urgjent, Draçini vijon të bllokojë vendosjen e ligjshmërisë në senat, duke dërguar shkresa për informacione që i disponon, në funksion të votës të Klea Velit, për të cilë thuhet se është dora e Tano Karidit të Mjekësisë edhe për nxitjen e studentëve të mjekësisë për të marrë pjesë në protestat për rrëzimin e qeverisë. Prapaskena do të publikojë në vijim aferat korruptive të rektorit Draçini, për të cilat ka përdorur edhe votën e ish studentes pasi i kishte përfunduar mandati si anëtare Senatit Akademik të UMT-së.
Draçini nga teknik televizorësh në rektor me plagjiaturë
Xheladin Draçini besohet se ka qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit. Shumëkush e mban mend Draçinin, i cili punonte si teknik televizorësh në zonën e njohur si Shallvaret në Tiranë para dhe gjatë viteve ’90. Disa ish drejtues të ish Sigurimit të Shtetit kanë konfirmuar se Draçini ishte një nga spiunët më të rëndësishëm të strukturës famëkeqe të regjimit komunist, pasi duke u kamufluar si teknik, vendoste përgjues në televizorët e markave të kohës, sidomos ‘Lura’.

Si shumë ish spiunë të tjerë, Tano Karidi i Mjekësisë iu bashkuar Partisë Demokratike dhe natyrshëm SHIK-ut famëkeq të Bashkim Gazidedes. Duke iu bashkuar PD-së dhe SHIK-ut, Draçini dyshohet se arriti të zhdukte edhe dosjen e tij si spiun i ish sigurimit të Shtetit. Meqenëse maska e teknikut të televizorëve ishte dekonspiruar, Draçini u kamuflua si infermier, duke shndërruar një nga spiunët më të zellshëm të SHIK-ut. Përmes PD-së dhe spiunllikut, Draçini u katapultua edhe në jetën akademike, me specializime fiktive dhe falsifikimit të titujve shkencorë.

Pa vizituar kurrë një pacient në jetën e tij, Draçini u katapultua nga infermier në kirurg i përgjithshëm në QSUT si dhe pedagog në Departamentin e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë. Në vitin 2005, përmes një disertacioni të vjedhur, Tano Karidi mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Draçini e fshehu doktoraturën e tij në një bodrum prej 20 vitesh nga frika se mos zbulohet se kujt ia ka vjedhur. Nga verifikimet parapake, disertacioni i Tano Karidit të Mjekësisë rezulton 90 % i vjedhur, siç edhe do ta konfirmojmë me detaje dhe evidenca në vijim.
Dosja e KLSH, tenderat klientelistë dhe rruga drejt SPAK
Auditimi i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka konstatuar shkelje me natyrë penale në administrimin e fondeve të UMT-së, të cilat po bëhen gati për kallëzim në SPAK. Nga verifikimet financiare dhe të dhënat mbi rrethin e biznesit pranë rektorit dalin në pah shifra dhe lidhje konkrete:
- 2.4 milionë euro dëm ekonomik: Bllokimi arbitrar i rreth 400 kuotave të doktoraturës për vitin akademik 2025-2026, duke penalizuar mjekët e rinj dhe buxhetin e universitetit.
- 2.3 milionë euro tendera: Kontrata të dyshuara me paracaktim për kompaninë Rafin Company të Renido Petritajt, e skeduar më herët për dokumentacion të rremë.
- 600 mijë euro për laboratorë fiktivë: Marrëveshje me kompaninë Pegasus të Janis Karathanos, biznesmeni nën hetim nga SPAK për koncesionin 130 milionë euro të laboratorëve.
- Skema me sigurimet dhe privatët: Tendera të dyshuar formalë me kompanitë Atlantik e Eurosig, si dhe pazare me Albanian University (ish-UFO) të Astrit Veliajt dhe Julian Fink për devijim kuotash studentore dhe pastrim parash në ndërtim.
- 250 mijë euro në llogari bankare: Depozita të deklaruara nga Xheladin Draçini, krahas dy apartamenteve (96 m2 dhe 56 m2) me çmime të deklaruara shumëfish nën vlerën e tregut.
Raporti me konstatimet penale të KLSH-së ndodhet tashmë në fazën e prapësimeve përfundimtare para përcjelljes në Prokurorinë e Posaçme. Topi tani ndodhet në fushën e SPAK dhe Ministrisë së Arsimit: ose do të ndërhyjnë mbi zinxhirin e kontratave milionëshe dhe paligjshmërinë në Senat, ose do të lejojnë që kupola e Mjekësisë të vijojë funksionimin si pronë private./Prapaskena