Samiti i ardhshëm i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, duke shtyrë për të paktën një vit planin që Tirana të priste liderët e Aleancës Atlantike. Lajmin e konfirmoi të enjten nga Dublini kryeministri Edi Rama, i cili bëri të ditur se ende mungon një dakordësi mes vendeve anëtare për kalendarin e takimit, ndërsa viti 2028 mbetet alternativa e vetme në tryezë për kryeqytetin shqiptar.
“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti. Me siguri jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, deklaroi Rama.
Prapa kësaj shtyrjeje qëndrojnë një sërë rezervash diplomatike dhe llogarish strategjike brenda Aleancës. Sipas raportimeve të mëhershme të agjencisë Reuters, organizimi i samitit në Tiranë u vu në pikëpyetje pas kundërshtimeve nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe pakënaqësisë së disa vendeve aleate lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Paralelisht, në tryezat e NATO-s po diskutohet ndryshimi i formatit tradicional, me synimin që samitet e nivelit të lartë të mos zhvillohen më domosdoshmërisht çdo vit. Kjo lëvizje shihet edhe si një mekanizëm për të shmangur përballjet e tensionuara me presidentin Trump gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij.
Sinjalet e para të kësaj lëkundjeje u dhanë që në korrik 2026 në samitin e Ankarasë, ku deklarata përfundimtare nuk përcaktoi as datë dhe as vend për takimin e radhës – ndryshe nga zotimi i marrë një vit më parë në Hagë. Ndonëse zyrtarë të Aleancës rikonfirmojnë se Tirana mbetet mikpritësja e ardhshme e samitit, mungesa e një date fikse e zhvendos organizimin historik përtej vitit 2027.