Bashkia Tepelenës shpenzoi 64 mln lekë për ndërtimin e një ujësjellës që nuk u ndërtua kurrë, KLSH konstaton shpërdorimin e parave publike

Nga
A Shehu
Leximi

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje të rënda financiare dhe teknike në Bashkinë Tepelenë, ku rreth 64 milionë lekë janë paguar për ndërtimin e ujësjellësit të fshatrave Peshtan dhe Mezhgoran, por investimi mbetet ende jashtë funksionit.

Sipas raportit përfundimtar të auditimit, sistemi i furnizimit me ujë nuk është vënë dot në punë, pasi mungon pjesa më jetike e tij: vepra e marrjes së ujit nga burimi.

​Kontrata e lidhur në prill të vitit 2021 me vlerë totale 232.67 milionë lekë (për fshatrat Nivicë, Rexhinë, Peshtan dhe Mezhgoran) parashikonte përfundimin e punimeve brenda 150 ditësh. Megjithatë, projekti u zvarrit për vite me radhë mes pezullimeve të përsëritura dhe ndryshimeve arbitrare të projektit fillestar.

​Si u bllokua projekti dhe u ndryshua skema teknike

​Audituesit e KLSH-së kanë evidentuar se zbatimi i kontratës u shoqërua me konflikte të vazhdueshme me banorët e zonës, të cilët kundërshtuan kalimin e tubacioneve në pronat e tyre private. Këto përplasje detyruan institucionin vendor të pezullonte punimet në tetor 2021, janar 2022 dhe shkurt 2023.

​Përballë bllokimit në terren, projekti u rishikua duke u përqendruar vetëm te linjat dhe depozitat, ndërsa vepra e marrjes së ujit u shty për një fazë të dytë, duke e lënë të gjithë infrastrukturën e ndërtuar të papërdorshme.

  • ​Shpenzim joefektiv: 63,989,574 lekë pa TVSH të paguara për një rrjet që nuk funksionon.
  • ​Dëmi ekonomik i drejtpërdrejtë: 1,457,619 lekë pa TVSH në total për punime të pakryera dhe volumet e fryra në të dy nënobjektet.
  • ​Manipulimet në letër: Mbivendosje të volumeve të gërmimit, llogaritje e dyfishtë e transportit dhe punime betoni të padokumentuara.
  • ​Mangësi sigurie: Mungesë e provave të presionit për linjat dhe e certifikatave të cilësisë së materialeve.

​KLSH kërkon nxjerrjen e përgjegjësve dhe rikuperimin e dëmit

​Përtej dështimit për t’u dhënë ujë banorëve, raporti nënvizon se janë likuiduar fonde publike për punime që nuk provohet të jenë kryer në terren.

​Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar zyrtarisht Bashkisë Tepelenë ngritjen e një grupi të posaçëm pune për të identifikuar përgjegjësit e kësaj keqmenaxhimi dhe nisjen e procedurave ligjore për rikuperimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në buxhetin e shtetit.

Shperndaja një miku
Lini një koment