Arrestohet në Greqi vëllai i peshëngritësit Pirro Dhima, u jepte sportistëve doping, mes tyre edhe të birit të mirur

Nga
A Shehu
Leximi

Odise Dhima, 58 vjeç, vëllai i ish-peshëngritësit të njohur Pirro Dhima, është arrestuar nga policia greke nën akuzat për furnizimin dhe shpërndarjen e substancave të ndaluara te sportistët. Prangosja e tij u krye mëngjesin e së enjtes, më 12 nëntor, në zonën e Atikës, pas hetimeve që e implikojnë trajnerin e peshëngritjes në një skemë dopingu që dyshohet se funksiononte prej më shumë se 14 vitesh, madje i ka dhënë lëndë të tilla edhe djalit të tij.

Gjatë kontrolleve të imtësishme në banesën e tij dhe në ambientet sportive ku ushtronte aktivitetin, autoritetet zbuluan dhe sekuestruan 871 njësi medikamentesh dhe preparatesh të paligjshme në formë tabletash e ampulash, të pamiratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe me rrezik të lartë për shëndetin. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan gjithashtu 15 mijë euro cash, 17 kartela sportistësh, shënime me dorë dhe një telefon celular.

Sipas dosjes hetimore, 58-vjeçari dyshohet se shfrytëzonte pozicionin e tij si trajner për t’u siguruar substanca të ndaluara atletëve, madje edhe djalit të tij, me një aktivitet të dokumentuar intensiv sidomos prej prillit të vitit 2024. Tashmë, Odise Dhima pritet të përballet me drejtësinë greke ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë zinxhirin e sportistëve të përfshirë.

Shperndaja një miku
Lini një koment