Asambleja e PS, Rama: Tirana dy vjet pa kokë, kush sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës nuk ka vend në parti

Nga
A Shehu
Leximi

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së për Tiranën se drejtimi i kryeqytetit ka mbetur “pa kokë” prej dy vitesh, duke e cilësuar si “absurditet antidemokratik” kombinimin mes paraburgimit të kryebashkiakut dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta mbajtur atë në detyrë.

Gjatë fjalës së tij për riorganizimin e strukturave vendore, Rama u ndal te situata aktuale e drejtimit të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se koston e kësaj bllokade institucionale po e paguajnë qytetarët. Sipas tij, kjo situatë ka krijuar vonesa dhe deficite në menaxhimin e kryeqytetit, të cilat Partia Socialiste synon t’i rikuperojë përmes një plani të ri organizativ dhe investimesh.

Duke listuar prioritetet e qeverisë dhe partisë për Tiranën, kreu i PS-së përmendi nevojën për mbylljen e procesit të rindërtimit, zgjerimin e programit të banesave sociale, si dhe krijimin e një skeme të re për strehimin e përballueshëm. Ai nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e shtimit të kopshteve, çerdheve dhe shkollave në ndihmë të familjeve të reja, ruajtjen e shtëpive muze, si dhe modernizimin e shërbimeve të ujit dhe mbetjeve përmes partneriteteve me kompani ndërkombëtare. Një tjetër pikë ku u ndal kryeministri ishte lehtësimi fiskal, duke kritikuar ngarkesën e biznesit të vogël me taksa vendore në një kohë kur qeveria e ka bërë zero tatimin për këtë kategori.

Në aspektin politik dhe elektoral, Rama u kërkoi strukturave të Tiranës të shmangin vetëkënaqësinë e fushatave të kaluara, duke kujtuar se PS ka fituar 6 nga 7 garat e fundit në kryeqytet. Ai paralajmëroi masa të rrepta brenda partisë për çdo drejtues apo anëtar që nuk angazhohet maksimalisht në terren.

“Dua ta bëj të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm,” u shpreh Rama para anëtarëve të Asamblesë.

 

 

Shperndaja një miku
Lini një koment