Jakup Krasniqi pritet të rikthehet pasditen e sotme në qendrën e paraburgimit në Hagë, duke mbyllur kështu vizitën katërditore humanitare pranë familjes së tij në Prishtinë, të miratuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Krasniqi ka nisur mëngjesin e sotëm ditën e katërt dhe të fundit të qëndrimit në Kosovë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, lëvizjet e tij janë shoqëruar me masa të rrepta sigurie nga trupat e EULEX-it, çka i ka pamundësuar takimet apo kontaktet e afërta me të afërm të tjerë, përveç rrethit të ngushtë familjar që e priste brenda banesës. Megjithatë, teksa dilte nga automjeti i EULEX-it për të hyrë në shtëpi, ai ka arritur të përshëndesë me dorë familjarët e mbledhur në një ballkon pranë shtëpisë, të cilët kishin dalë për ta parë nga larg.
Leja e përkohshme për këtë vizitë u aprovua nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pasi gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij u përkeqësua ndjeshëm.
Kjo vizitë vjen pak kohë pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale, e cila më 16 shtator e dënoi Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.