Belinda Balluku përballet me pesë akuza, SPAK e merr të pandehur për herë të dytë

Nga
A Shehu
Leximi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka marrë të pandehur për herë të dytë ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërsa i ka komunikuar dhe akuzat e reja që rëndojnë ndaj saj.

 

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Balluku përballet me pesë kategori veprash penale, që lidhen me shkeljet në tenderat publikë, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

 

Akuza kryesore është ajo e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, e kryer në nëntë raste, ndërsa përveç kësaj, SPAK i ka komunikuar Ballukut akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe atë të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë.

 

Në dosje përfshihen edhe dy raste të dyshuara të mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave privatë.

 

Një tjetër akuzë lidhet me pastrimin e produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.

Bakkuku u mor fillimisht e pandehur për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në lidhje me procedurën e prokurimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Më pas, hetimet u zgjeruan edhe në shtatë procedura të tjera prokurimi, që lidhen me projekte të Unazës së Madhe të Tiranës.

Shperndaja një miku
Lini një koment