Çështja e Aeroportit të Vlorës pas arbitrazhit ndërkombëtar kalon edhe në SPAK

Nga
A Shehu
Leximi

Thellohet konflikti për kontrollin e Aeroportit të Vlorës, i cili ka kaluar tashmë në arbitrazh ndërkombëtar. Pas regjistrimit të transferimit të 47% të kuotave të investitorit zviceran MABCO, në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe detyrimet kontraktore të koncesionit, është ngritur një padi në SPAK kundër zyrtarëve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, administratorit Vegim Hoxha dhe përfaqësuesve të 2A Group.

Më 19 tetor 2026, Qendra Kombëtare e Biznesit regjistroi ndryshimin e strukturës së pronësisë së shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, duke ulur pjesëmarrjen e MABCO Constructions SA nga 98% në 51% dhe duke rritur atë të shoqërisë 2A Group nga 2% në 49%.

Vendimi u mor në një kohë kur vlefshmëria e kontratës mbi të cilën mbështetet transferimi i 47% të kuotave vazhdon të jetë objekt i një konflikti gjyqësor, ndërsa mbi kuotat e kontestuara, sipas investitorit zviceran, rëndonte një masë sigurimi që ndalonte tjetërsimin e tyre.

Për këto veprime, MABCO ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, duke kërkuar hetimin e zyrtarëve të QKB-së, administratorit Vegim Hoxha, Valon Ademit dhe përfaqësuesve të 2A Group.

Kallëzimi mbështetet në dyshimet se regjistrimi është kryer duke shpërfillur jo vetëm kufizimet gjyqësore, por edhe mungesën e miratimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor i koncesionit, dhe të Bankës Kombëtare Tregtare, në favor të së cilës kuotat janë vendosur si garanci për financimin e projektit.

Shperndaja një miku
Lini një koment