Elira Kokona bllokon garën: Çfarë fshihet pas hoteleve në Palasë?

Nga
F Ajazi
Leximi

Elira Kokona, drejtoresha e Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC), ka firmosur anulimin e papritur të garës për dhënien e dy pronave shtetërore elitare në Palasë dhe Dhërmi. Skema parashikonte që godinat e policisë në vijën e parë bregdetare t’u kalonin privatëve për ndërtimin e dy hoteleve luksoze, në këmbim të ngritjes së një qendre të re shërbimesh publike.

Zyrtarisht, procedura me afat fundin e tetorit u shpall e dështuar për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve në fazën e parë. Por prapa kuintave të këtij anulimi fshihet një luftë e ftohtë llogarish mes qeverisë dhe oligarkëve të ndërtimit që synojnë perlat e mbetura të Jugut.

Elira Kokona dhe formula e “kleringut” me pronat e shtetit

Që prej marrjes së drejtimit të Korporatës së Investimeve Shqiptare, Elira Kokona është kthyer në figurën kyçe ku filtrohen pronat më të lakmuara publike. Ish-zyrtarja e lartë në Kryeministri dhe Ministrinë e Drejtësisë drejton një institucion që funksionon si agjenci imobiliare shtetërore, duke anashkaluar procedurat klasike të prokurimit publik.

Modeli i përdorur prej saj në Tiranë me godinat shtetërore dhe stadiumet u tentua të eksportohej edhe në Himarë. Plani synonte zhvendosjen e Policisë së Shtetit dhe Policisë Kufitare nga zemra e zonave turistike drejt një rrethrrotullimi periferik, për t’i liruar truallin betonit VIP.

Sipas dokumenteve të konkurrimit, bilanci i tokave dhe kushteve financiare në këtë operacion përfshinte:

  • 1,500 m² truall në Dhërmi: Prona e Policisë Kufitare ngjitur me detin (me godinë ekzistuese 312 m²), ku privatit i jepej e drejta për të ndërtuar një hotel me sipërfaqe rreth 2,100 m².
  • 2,555 m² truall në Palasë: Stacioni aktual i policisë, i cili do të kthehej në strukturë akomoduese me potencial zhvillimi deri në 3,577 m².
  • 54,391 m² tokë shtetërore: Sipërfaqja pranë rrethrrotullimit të Palasës ku investitori duhej të ndërtonte nga e para godinat për Policinë, Gardën e Republikës, zjarrfikësen dhe urgjencën.
  • 35% e sipërfaqes: Kuota minimale e zhvillimit në të dyja hotelet që biznesmeni duhej t’i dorëzonte Korporatës si kundërvlerë.

Pse u stepën oligarkët dhe hija e dosjeve të SPAK

Burime nga tregu i ndërtimit bëjnë me dije se bojkotimi i garës me afat 28 tetorin lidhet me dy faktorë kryesorë. Së pari, të mësuar me statusin e “Investitorit Strategjik” ku toka shtetërore merrej pothuajse falas, klientët e zakonshëm të qeverisë e kanë konsideruar të lartë kushtin e dorëzimit të 35% të ndërtimit dhe koston e ngritjes së kompleksit policor.

Në praktikat e mëparshme të Korporatës që drejton Elira Kokona, dështimi i raundit të parë për “mungesë ofertash” ka shërbyer shpesh si alibi procedurale. Ky manovrim i hap rrugë rishpalljes së tenderit me kritere të zbutura dhe përqindje më të favorshme për privatët e paracaktuar.

Së dyti, hija e hetimeve të SPAK dhe GJKKO mbi tjetërsimin e pronave në bregdetin e Himarës ka futur në ngërç sipërmarrësit e mëdhenj. Sekuestrot e fundit dhe dosjet penale për zyrtarët që firmosën kalimin e tokave publike te privatët kanë bërë që çdo skemë shkëmbimi në Dhërmi e Palasë të shihet si minë me sahat.

Tashmë pritet lëvizja e radhës e Korporatës së Investimeve Shqiptare: a do të rishpallet gara me kushte të ulura për të kënaqur oreksin e ndërtuesve, apo hetuesit e BKH-së do të trokasin më parë për të verifikuar vlerësimin ekonomik të këtyre pronave bregdetare?

Shperndaja një miku
Lini një koment