Fation Shehu do të jetë drejtori i ri i Përgjithshëm i Doganave, duke zëvendësuar në këtë detyrë Besmir Bejën, i cili largohet pas vetëm 10 muajsh në krye të institucionit.
Propozimi për emërimin e Shehut ka kaluar për miratim në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. Ky ndryshim në kupolën e një prej institucioneve kyçe për mbledhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit vjen në një moment kur doganat kanë objektiva të lartë për luftën ndaj informalitetit dhe përafrimin e procedurave me standardet e Bashkimit Evropian.
Drejtuesi i ri vjen nga brenda sistemit, me një përvojë të gjatë në terren. Për katër vite rresht, Fation Shehu ka mbajtur postin e drejtorit të Antikontrabandës në administratën doganore, duke udhëhequr operacionet kundër trafiqeve dhe tregtisë së paligjshme. Puna e tij në këtë sektor është vlerësuar edhe jashtë vendit; në vitin 2025, ai mori Çmimin e Parë nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) për rezultatet e arritura kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Nga ana tjetër, largimi i Besmir Bejës mbyll një mandat mjaft të shkurtër, prej rreth 10 muajsh. Ndonëse nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi arsyet konkrete të këtij vendimi, burimet tregojnë se lëvizja lidhet me vlerësimin e performancës së tij në drejtimin e administratës.