Shqipëria hap tregun për mishin e prodhuar në laborator, gati projektligji

Nga
A Shehu
Leximi

Mishi i prodhuar në laborator mund të hyjë në tregun shqiptar, sipas projektligjit të ri “Për ushqimin”, të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

​Drafti parashikon përfshirjen e produkteve të krijuara përmes kulturave qelizore dhe indore në kategorinë e “ushqimeve të reja”, çka i hap rrugë importimit dhe tregtimit të mishit të kultivuar në vend. Nëse nisma miratohet, Shqipëria do të ketë afat deri më 1 gusht 2027 për të përafruar dhe përgatitur kuadrin e plotë ligjor për këto produkte.

​Ndryshe nga blegtoria tradicionale, ky lloj mishi prodhohet duke shumëfishuar qelizat e kafshëve në kushte laboratorike, duke shmangur rritjen dhe therjen e tyre. Megjithatë, hapja e tregut ndaj kësaj teknologjie shoqërohet me dy pikëpyetje kryesore: garancitë për sigurinë dhe cilësinë ushqimore, si dhe ndikimin që konkurrenca e këtyre produkteve mund të ketë tek fermerët dhe blegtoria vendase.

​Për publikun shqiptar, mishi i kultivuar mbetet ende një koncept i panjohur. Ndërkohë, në rajon dhe në Europë qëndrimet janë të ndara; Italia, për shembull, ka ndjekur një linjë të ashpër mbrojtëse, duke ndaluar me ligj që në vitin 2023 prodhimin dhe shitjen e mishit laboratorik.

Shperndaja një miku
Lini një koment