Si kaluan paratë e fermerëve te Samir Mane, Frida Krifca dhe pushteti

Nga
F Ajazi
Leximi

​Fermerët shqiptarë prisnin traktorë, pajisje dhe mbështetje për serat, por milionat e Bashkimit Europian dyshohet se përfunduan në resortet luksoze të klientelës qeveritare. Në qendër të kësaj skeme gllabërimi, që tashmë po trondit themelet e pushtetit në SPAK, ndodhet ish-ministrja Frida Krifca, njeriu që shpërndau fondet e bujqësisë drejt llogarive të oligarkëve.

​Profili i saj politik ka qenë gjithmonë i mbështjellë me hije të forta të influencës financiare. E njohur gjerësisht në rrethet elitare të kryeqytetit si “ministrja e Samir Manes”, Frida Krifca dyshohet se u katapultua në krye të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) pikërisht për t’i shërbyer direkt shoqërisë dhe interesave të këtij rrjeti. Burime pranë institucioneve të kontrollit ngrenë pikëpyetjen nëse kupola që e vendosi në këtë post kyç, përdori firmën e saj të bindur për të pastruar milionat e korrupsionit të ardhur nga Brukseli.

​Si i ndau Frida Krifca milionat e Europës te “fermerët VIP”

​Mekanizmi hetimor i zbardhur nga zyra europiane anti-mashtrim (OLAF) ka skicuar një strukturë të mirëfilltë kriminale: oferta fiktive, kompani konsulence të paracaktuara dhe çmime të fryra artificialisht. Nga kjo plaçkitje e hapur e djersës së fermerëve, programi jetik IPARD III u pezullua pa afat, duke izoluar Shqipërinë financiarisht.

​Sot, rreth 159 subjekteve u është kërkuar rikthimi urgjent i granteve. Përmes një analize të ekstrakteve të QKB-së dhe letrave të dosjes paraprake, dalin në dritë emra me profil kryekëput politik dhe zero lidhje me bujqësinë bazike:

  • ​Ardian Tufa (Nari i Lundrës): Drejtues i Njësisë Farkë dhe njeri i rrethit të ngushtë të Erion Veliajt, kaloi në llogarinë e tij 247 mijë euro me faturën e një agroturizmi.
  • ​Elton Bualli: Ish-administratori i inceneratorit të Sharrës futi në xhep 310 mijë euro për ngritjen e një sere.
  • ​Zyrtarët lokalë: Ish-drejtori i Ujësjellësit Korçë, Petrit Tare, përfitoi 251 mijë euro, ndërsa ish-drejtoresha e Kadastrës Vlorë, Loreta Tozaj, siguroi 82 mijë euro.
  • ​Klanet familjare: Motra e Tërmet Peçit në Tepelenë mori 225 mijë euro, ndërsa familjarët e ish-kryebashkiakut të Divjakës, Eriona dhe Andi Kokoneshi, përfituan rreth 76 mijë euro së bashku.
  • ​Ish-deputetët: Alban Zusi dhe Dashamir Peza arkëtuan nga thesi i IPARD përkatësisht 532 mijë euro dhe 222 mijë euro.
  • ​Oligarkët dhe ndërtuesit: Biznesmeni Gjergj Luca aplikoi për fonde prej 400 milionë lekësh, ndërkohë që kompania e Xheni Gjikurisë rrëmbeu 204 mijë euro për të restauruar banesa guri në plazhin e Dhërmiut.

​Lavatriçja e parave dhe goditja e radhës nga SPAK

​Hyrja e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, përmes firmës “Kavaljon” apo pranimi skandaloz i Arbër Çekajt—i dënuar për trafik droge—si përfitues i 264 mijë eurove, tregon se AZHBR funksionoi si zyrë noteriale për krimin.

​Dyshimi thelbësor i prokurorëve të posaçëm është përdorimi i kësaj skeme si një lavatriçe gjigante për pastrimin e parave të pista. Çdo fond kalonte detyrimisht përmes studiove ekskluzive të konsulencës si “Converse Management Consulting” e Reni Ashikut, për të “qepur” letrat që justifikonin transfertën. Paratë më pas shkriheshin në tulla për vila e resorte, fshehur pas maskës së zhvillimit rural.

​Prokurori Klodian Braho e ka thirrur tashmë në dhomat e marrjes në pyetje ish-ministren, për të dhënë llogari mbi rolin e saj në miratimin e kësaj hemorragjie. Fijet lidhen ngushtësisht me urdhrat nga lart dhe shërbimet e kryera ndaj rrethit të Samir Manes, duke nxjerrë zbuluar skemën ku pushteti emëron ushtarë për të firmosur vjedhjen.

​Faturat, kontratat dhe transaksionet bankare ndodhen tashmë mbi tavolinat e hetuesve. Beteja e radhës për drejtësinë nuk është më grumbullimi i letrave, por prangosja e atyre që e përdorën vulën e shtetit për të mbushur thesin e oborrit qeveritar.

Shperndaja një miku
Lini një koment