Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri. Vendimi është marrë këtë të premte, më 30 tetor 2026, pas përfundimit të konsultimeve me përfaqësuesit e forcave politike parlamentare dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, data e zgjedhjeve është përcaktuar në përputhje me Kodin Zgjedhor, i cili parashikon që zgjedhjet vendore të zhvillohen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, që përfshin katër të diela ndërmjet datave 15 prill dhe 15 maj.
Përpara marrjes së vendimit, Presidenti thirri në konsultime të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, në cilësinë e përfaqësuesit të institucionit përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor.
Megjithatë, jo të gjitha forcat politike iu përgjigjën ftesës. Në konsultime morën pjesë përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera politike zgjodhën të mos merrnin pjesë.
Presidenca thekson se këto subjekte nuk paraqitën publikisht asnjë preferencë lidhur me datën e zhvillimit të zgjedhjeve.
Gjatë konsultimeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi datën 9 maj 2027, duke argumentuar se kjo zgjedhje do t’u jepte institucioneve përgjegjëse më shumë kohë për përgatitjen dhe zbatimin e masave të nevojshme për organizimin e procesit zgjedhor.
Edhe Partia Socialdemokrate shprehu preferencën për këtë datë, ndërsa përfaqësuesit e përfshirë në konsultime u treguan të hapur ndaj alternativave të mundshme.
Në njoftimin e saj, Presidenca nënvizon se përzgjedhja e datës 9 maj nuk lidhet me asnjë synim për favorizimin e forcave të caktuara politike apo me ndonjë ndikim potencialisht të dëmshëm mbi vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Me dekretimin e datës, nis zyrtarisht kalendari i përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore, ku qytetarët do të thirren të votojnë për përfaqësuesit e tyre në organet e qeverisjes vendore.
Presidenti i Republikës u ka bërë thirrje partive politike që të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa konkrete, programe dhe kandidatë që i përgjigjen rëndësisë së këtij procesi demokratik.
Kreu i Shtetit kërkon gjithashtu që konkurrimi elektoral të zhvillohet në kushte të drejta, me respektim të kuadrit ligjor dhe të parimit të barazisë mes subjekteve politike.