Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar ish-zv/kryeministren Belinda Balluku, se ka shpenzuar 69 mijë euro për ndërhyrje kirurgjikale dhe estetike.

Në një reagim publik, Bardhi pretendon se Balluku ka kryer ndërhyrje estetike në disa prej klinikave të një kirurgu plastik me aktivitet ndërkombëtar, në Beverly Hills, Miami, Dubai dhe Milano. Sipas tij, ndërhyrjet kapin vlerën e rreth 69 mijë eurove, të cilat, pretendon kreu i grupit parlamentar të PD-së, nuk janë deklaruar sipas përcaktimeve ligjore. Bardhi ngre pikëpyetje mbi burimin e parave dhe deklarimin e këtyre shpenzimeve, duke i lidhur akuzat e tij edhe me pasuritë e Ballukut, përfshirë dy vila që, sipas tij, kapin vlerën e 1.8 milionë eurove.
Ndërkohë Belinda Balluku si kundërpërgjigje ka publikuar një foto të 13 viteve më parë me mbishkrimin “Si sot, 13 vite më parë, në ceremoninë e ndryshimit të emërtimit të Agjencisë Kombëtare të Navigimit Ajror (ANTA) në Albcontrol.”
