Erion Veliaj shkarkon nga burgu kreun e IMT Rigers Sheqeri dhe drejtoreshën e Kopshteve dhe Çerdheve Zhaneta Beqiri

Nga
A Shehu
Leximi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur një valë shkarkimesh në administratën e bashkisë nga qelia e burgut, duke larguar nga detyra kryeinspektorin e IMT-së, Rigers Sheqeri, dhe drejtoreshën e Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve, Zhaneta Beqiri.

Sipas portalit VNA.al, i pari që është prekur nga këto lëvizje është kryeinspektori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Rigers Sheqeri, zyrtari i cili u bë i njohur publikisht pas përplasjes me protestuesit në hyrje të selisë së Partisë Socialiste, ku u shfaq me një shkop në dorë.

Po me firmën e Veliajt është larguar nga detyra edhe drejtoresha e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve, Zhaneta Beqiri. Motivacioni zyrtar i këtij shkarkimi lidhet me konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për shkelje të rënda dhe shkaktim të dëmit ekonomiko-financiar.

Në listën e drejtuesve që pritet të largohen figuron edhe drejtoresha e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj. Burimet bëjnë me dije se shkarkimi i saj ende nuk është zyrtarizuar për shkak të procedurave ligjore, por vendimi është marrë me pretendimin se ajo ka vendosur gjoba të pajustifikuara dhe në kundërshtim me ligjin ndaj qytetarëve.

Për lëvizjet ndaj drejtueses së Policisë Bashkiake ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën. Ai ironizoi arsyet e këtij shkarkimi, duke deklaruar se Veliaj e kishte larguar atë nga detyra me arsyetimin se nuk i bënte pëlqime (“like”) dhe shpërndarje (“share”) postimeve të tij në rrjetet sociale.

 

Shperndaja një miku
Lini një koment