Prokuroria e Tiranës akuzon Xhensila Myrtezaj për fshehje të të ardhurave dhe shmangie të detyrimeve tatimore

Nga
A Shehu
Leximi

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj (e referuar në njoftimin zyrtar me inicialet Xh.K.), nën akuzën e fshehjes së të ardhurave të kryer më shumë se një herë, me një dëm tatimor të përllogaritur në mbi 6 milionë lekë.

Sipas organit të akuzës, hetimet e nisura në vitin 2024 nxorën në pah mospërputhje të dukshme mes të ardhurave të deklaruara nga këngëtarja dhe lëvizjeve të saj reale financiare. Konkretisht, hetuesit kanë zbuluar transaksione dhe blerje pronash me burime të pajustifikuara financimi, si dhe derdhje e tërheqje të konsiderueshme parash “cash” që nuk mbulohen nga deklarimet tatimore.

Gjatë fazës hetimore, Myrtezaj ka paraqitur një deklaratë me shkrim, duke pretenduar se shumat e depozituara në llogaritë e saj ishin fitime të siguruara nga koncertet brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, prokuroria thotë se dokumentacioni i dorëzuar prej saj justifikon vetëm një pjesë të këtyre parave.

Ekspertimi kontabël ka llogaritur një detyrim tatimor të shmangur në vlerën totale prej 6,075,521 lekësh, të ndarë në dy vite kalendarike: Viti 2023: 2,417,311 lekë dhe Viti 2024: 3,658,210 lekë

Duke e cilësuar shkeljen si të përsëritur në dy vite të ndryshme (sipas nenit 180/1 të Kodit Penal), prokuroria e ka përcjellë dosjen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Deri në shpalljen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, këngëtarja gëzon prezumimin e pafajësisë.

Shperndaja një miku
Lini një koment