Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kundërshtuar transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit, duke pretenduar se nuk i është vënë në dispozicion akti që urdhëron zhvendosjen dhe as arsyet që e justifikojnë atë.
Veliaj thotë se punonjës të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për ta transferuar në Fier.
Sipas tij, kërkesat e përsëritura të bëra nga ai dhe avokati për t’u njohur me dokumentacionin janë refuzuar.“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, shprehet Veliaj.
Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se ka kundërshtuar mënyrën e realizimit të tij, duke pretenduar mungesë transparence dhe pengim të ushtrimit efektiv të të drejtave ligjore. “I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik”, shprehet Veliaj.