Protestat, ekspertët kërkojnë mbikqyrje të sjelljes së efektivëve të policisë me protestuesit

Nga
A Shehu
Leximi

Në një sallë të mbushur plot me punonjës të Policisë së Shtetit më 19 tetor, kryeministri Edi Rama e ndau protestën në dy fronte dhe premtoi shpërblim prej 2500 eurosh për çdo punonjës policie të vijës së parë.“Për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe mbi të gjitha për dinjitetin me të cilin ju po i dilni përballë jo vetëm këtyre…ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front, sepse keni jo vetëm stresin, por keni edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment dhe gjëra ekstra,” deklaroi Rama.

Brenda ditës, Këshilli i Ministrave çeli një fond prej 759 milionë lekësh për shpërblimin e 2821 punonjësve të policisë, të cilët prej dy javësh po i luftojnë protestat studentore me gaz lotsjellës, ujë me presion e shkopinj dhe plumba gome.Protestat e javëve të fundit u radikalizuan në përleshje dhe dëmtim të pronës publike dhe private, pasi kërkesat e protestave paqësore të katër muajve ranë në vesh të shurdhër.

Pas reformave të njëpasnjëshme për rritjen e besimit publik, Policia e Shtetit në Shqipëri vuan sërish nga perceptimi i një institucioni të politizuar, veçanërisht në rangjet e larta drejtuese. Sjellja e uniformave blu gjatë protestave antiqeveritare të javëve të fundit ngre pikëpyetje për një politizim edhe më të skajshëm të saj.

Edhe pse dhënia e një shpërblimi për orët e zgjatura të punës nuk është automatikisht i paligjshëm, sipas ekspertit të sigurisë, Redion Qirjazi, ekziston rreziku që efektivët ta lexojnë atë “si mirënjohje personale nga pushteti”.“Si mundet një punonjës ta bëjë dallimin që po vlerësohet për shërbim ndaj shtetit dhe jo ndaj qeverisë,” pyet Qirjazi, drejtor i fondacionit Mary Ward Loreto.

Romario Shehu, studiues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim është gjithashtu i shqetësuar për mesazhin që përcjell vendimi i qeverisë në kontekstin e protestave.“Kur qeveria shpërblen financiarisht efektivët pas protestave masive kundër saj, në një kontekst ku ka pretendime të arsyeshme për përdorim të tepruar të forcës, veçanërisht ndaj të miturve, krijohet rreziku që vendimi të perceptohet si miratim politik i veprimeve të policisë,” tha Shehu.

Llogaridhënia në hije

Pas përplasjeve të dhunshme më 21 tetor, Avokati i Popullit konstatoi mbipopullim të bllokut të sigurisë, ku protestuesit flenë në dysheme, të miturit mbahen në dhoma me të rritur dhe ankesa për dhunë dhe mohim të drejtash.Sipas monitorimit, ankesat për dhunë policore gjatë protestave nuk ishin dokumentuar, ndërkohë që ishin evidentuar raste të punonjësve të policisë apo automjeteve të tyre të paidentifikuara.

Shkelje të tilla kërkojnë sipas ekspertit Romario Shehu jo vetëm hetime, por edhe një mbikëqyrje më efektive parlamentare dhe institucionale.“Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes duhet të kërkojë shpjegime nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për menaxhimin e protestave aktuale, dhe masat e marra për shqyrtimin e shkeljeve të pretenduara,” tha Shehu për BIRN.

Ndërkohë, Qirjazi kërkon që vendimi financiar dhe zbatimi i tij t’u nënshtrohen kontrolleve institucionale. Sipas tij, Policia e Shtetit duhet të mbështetet në kritere standarde, dokumentim të saktë për çdo përfitues dhe raportim të veprimeve mbi bazën e të dhënave konkrete, duke respektuar privatësinë dhe nevojat operacionale.

Ai sugjeron gjithashtu që vendimi dhe zbatimi i tij të mund të auditohen nga institucionet përkatëse, përfshirë Parlamentin, Avokatin e Popullit dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, në mënyrë që të garantohet kontrolli demokratik dhe paanshmëria politike./ BIRN

Shperndaja një miku
Lini një koment