“Vjedhjet në filialin e postës së Durrësit dyshohet se kanë vijuar prej vitesh nga një grup i mirëorganizuar me mbështetje politike dhe drejtoreshën e arrestuar Elisabeta Mataj e përdorën si kamuflim për të mos zbuluar autorët e vërtetë të kësaj skeme”.
Kështu është shprehur avokati i Elisabeta Matajt, Ilia Ilia sipas të cilit merita për zbulimin e këtij grupi i takon klientes së tij dhe natyrisht revizionit konkret të bërë nga drejtoria e përgjithshme e postës shqiptare.
Dosja hetimore për vjedhjet në filialin e Postës së Durrësit, ku dëmi llogaritet mbi 3.6 miliardë lekë, i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për shkak të dyshimeve se në skemë janë përfshirë zyrtarë që gëzojnë imunitet.
Ilia Ilia, i cili hodhi akuza të forta ndaj strukturave të drejtësisë në Durrës, kërkoi edhe ndërhyrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Avokati pretendoi se zbulimi i kësaj skeme erdhi pikërisht falë raportimeve të klientes së tij dhe një auditimi të detajuar të kryer nga drejtoria e përgjithshme e Postës Shqiptare, nën drejtimin e Etjen Xhafajt. Ai akuzoi Prokurorinë e Durrësit se gjatë hetimeve ka rënë pre e manovrave të grupit të dyshuar kriminal, duke lënë në arrest shtëpie personat e implikuar për të manipuluar provat, ndërsa mbajti në qeli klienten e tij.
Një tjetër pistë e ngritur nga mbrojtja lidhet me fondet e rindërtimit pas tërmetit, të cilat kanë kaluar përmes sporteleve të Postës Shqiptare. Avokati i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) të mos qëndrojë “sehirxhi”, por të thellojë auditimin kontabël që nga momenti i futjes së sistemit “Eterna” në postë, për të gjurmuar të gjitha paratë e zhdukura, përfshirë këtu edhe detyrimet tatimore apo fonde të tjera.
Në përfundim, avokati e cilësoi si shpërdorim të pastër detyre nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit edhe arrestimin e bashkëshortit të Elisabeta Matajt, duke këmbëngulur se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë ligjore.